Raporti i kredive me probleme shënoi rënie në muajin qershor të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 4,7%, nga 4,81% që kishte qenë një muaj më parë në maj.
Përmirësimi i cilësisë së kredisë për ekonominë po mbështetet nga cikli pozitiv që po ndjek ekonomia shqiptare me një rritje të lartë të sektorëve të pasurive të paluajtshme dhe shërbimeve të lidhur me turizmin. Por një ndikim të konsiderueshëm pozitiv vlerësohet se ka dhënë forcimi i lekut në kursin e këmbimit.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ulja e raportit të kredive me probleme po ndikohet edhe nga ecuria e mirë e kreditimit të ekonomisë dhe zmadhimi me ritme të përshpejtuara i portofolit të kredisë për ekonominë.
“Ritmi i rritjes së kredisë ka ardhur në rritje, duke regjistruar nivelin 14.6% në muajin qershor. Zgjerimi i kredisë vijon të mbështetet – në masën më të madhe —nga rritja e shpejtë e portofolit të kredisë në lekë, në pasqyrim të nivelit të ulët të normave të interesit.
Po ashtu, zgjerimi i kredisë vijon të ketë një bazë të gjerë, duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe të familjeve, si për investime ashtu edhe për konsum e kapital qarkullues.
Në të njëjtën kohë, portofoli i kredisë vijon të ketë një cilësi të mirë, sikundër dëshmohet nga nivelet e ulëta të treguesit të kredisë me probleme”, sipas deklaratës së fundit të BSH-së.