Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Ç’do të thotë depërtimi ushtarak i Ukrainës në Rusi?

Ç’do të thotë depërtimi ushtarak i Ukrainës në Rusi?

Fakti që Ukraina tanimë ia del të futet ushtarakisht në Rusi përbën lajm shumë të mirë për Kosovën. Shtrohet pyetja pse? Sepse, nëse Ukraina ia del që së paku t’i mbrojë pozicionet e saj në Rusi, atëherë kjo i jep argumente të fuqishme në tavolinë të bisedimeve për ta ruajtur tërësinë territoriale të saj. Mosndarja e Ukrainës mundëson mosndarjen e Kosovës, kuptohet me kushtin që Kosova t’i lexojë mirë kartat politike.

Por, nëse Kosova mundohet ta lirojë për qarkullim Urën e Ibrit pa u koordinuar me Perëndimin, atëherë kjo e përshpejton së paku autonominë e serbëve në veri të paraparë në Marrëveshjen e Ohrit, tanimë kur Kosova s’ka më kurrfarë kontrolli politik dhe institucional në veri, përpos atij policor.

Nëse Serbia e ka humbur Kosovën në vitin 1999 pavarësisht kontrollit të saj brutal ushtarak e policor (por pa pasur kontroll politik dhe institucional), atëherë edhe Kosova do të mund ta humbë shumë shpejtë veriun me hapat e njëanshëm që është duke i ndërmarrë.

Qetësia e opozitës po i jep komoditet të jashtëzakonshëm pozitës për t’ua mundësuar kështu serbëve që përmes tentim-hapjes nga Kosova të Urës së Ibrit, veriu menjëherë të futet nën protektorat ndërkombëtar dhe pastaj serbët e veriut të mbështetur nga Perëndimi t’i ndjekin hapat saktësisht të njëjtë shtetndërtues që i kishte ndjekur Kosova nga 1999 deri në 2024, duke e shpallur së pari autonominë në veri e pastaj në faza të mëvonshme edhe bashkimin me Serbi duke na e djegur kështu edhe kartën e shkëmbimit të territoreve që do ta linte Luginën e Preshevës përfundimisht nën Serbi.

Se a është duke u nxitur Kosova heshtazi që ta përshpejtojë autonominë e serbëve të veriut për ta mbyllur përfundimisht problemin me Serbi, do ta marrim vesh në muajt dhe vitet që vijnë. Me gjasë ka të tillë që këtë mbështetje popullore të pozitës, po duan që ta shfrytëzojnë për mbylljen e problemit të veriut, duke ua shitur qytetarëve të Kosovës autonominë e serbëve të veriut si fitore.

Powered by WordPress