Organizatorët kanë anuluar tri koncerte të këngëtares amerikane, Taylor Swift, në Austri, pas arrestimit të një simpatizanti të grupit ekstremist, Shteti Islamik në lidhje me planifikimin e një sulmi, thanë organizatorët.Autoritetet më herët gjatë të mërkurës kishin konfirmuar arrestimin e një 19-vjeçari, simpatizant të një grupi të armatosur, pas dyshimeve për planifikim të një sulmi në rajonin e Vjenës, duke paralajmëruar se ai kishte në “fokus” tri koncertet që ishte paraparë të mbante Swift.
“Me konfirmimin nga zyrtarët qeveritarë për një sulm të planifikuar terrorist në Stadiumin Ernst Happel, ne nuk kishim zgjidhje tjetër përpos që të anulonim tri koncertet e planifikuara”, njoftoi përmes Instagramit Barracuda Music.
Organizatorët shtuan se do të rimbursohen të gjithë personat që kishin blerë bileta. Afër 65.000 persona pritej të merrnin pjesë në çdo koncert të këngëtares Swift që ishin planifikuar të mbaheshin të enjten, të premten dhe të shtunën.
Personi i arrestuar, që “javët e fundit” ishte zotuar për besnikëri ndaj IS-it, u arrestua në një vend rreth një orë nga Vjena, tha shefi kryesor i sigurisë në vend, Franz Ruf.
Ruf tha gjatë një konference për media se 19-vjeçari kishte në fokus koncertet e këngëtares amerikane në Vjenë.