Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Ministri i jashtëm izraelit bën thirrje për vrasjen e udhëheqësit të ri të Hamasit

Ministri i jashtëm izraelit bën thirrje për vrasjen e udhëheqësit të ri të Hamasit

Ministri i Jashtëm i Izraelit ka bërë thirrje për vrasjen e Yahya Sinwarit, udhëheqësit të sapoemëruar politik të Hamasit, ndërsa Izraeli përgatitet për hakmarrje nga Irani për vrasjen e një komandanti të Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban dhe vrasjen e paraardhësit të Sinwarit në Teheran javën e kaluar.

Ministri i Jashtëm Israel Katz tha në një postim në X se emërimi i Sinwarit, të cilin ai e quajti një kryeterrorist, “është edhe një arsye tjetër bindëse për ta eliminuar me shpejtësi dhe për të fshirë këtë organizatë të ndyrë nga faqja e dheut”.

Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e udhëheqësit të mëparshëm të Hamasit, Ismail Haniyeh, por pas vdekjes së tij më 31 korrik udhëheqësit iranianë e fajësuan Izraelin dhe u zotuan se do të përgjigjeshin për këtë veprim.

Të mërkurën, Hamasi emëroi Yahya Sinwarit, një nga arkitektët e sulmit terrorist të 7 tetorit ndaj Izraelit, si udhëheqësin e tij të ri, një lëvizje që zoti Katz tha se dërgon “një mesazh të qartë për botën se çështja palestineze tani është plotësisht e kontrolluar nga Irani dhe Hamasi.”

Ministri i jashtëm Katz tha gjithashtu se Izraeli duhet të mbajë kontrollin e sigurisë mbi Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, në mënyrë që të parandalojë Iranin të krijojë një tjetër “qendër ekstremiste”.

Ushtria izraelite ka ndërmarrë operacione në Bregun Perëndimor, për të cilat thotë se synojnë të pengojnë aktivitetin militant dhe sulmet e mundshme kundër Izraelit. Rreth 600 njerëz janë vrarë në operacionet izraelite në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës në tetor.

Duke marrë parasysh edhe kërcënimin për përgjigje ndaj Izraelit nga udhëheqësi i Hezbollahut për vrasjen e komandantit Fouad Shukur, javën e kaluar në Bejrut, është rritur frika për mundësinë e një konflikti të zgjeruar rajonal.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të martën se të gjithë në rajon duhet të “marrin vendime që do të ulin tensionet”.

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë Izraelin kundër sulmeve nga grupet terroriste ose mbështetësit e tyre, ashtu siç do të vazhdojmë të mbrojmë trupat tona”, tha Sekretari Blinken. “Por të gjithë në rajon duhet ta kuptojnë se sulmet e mëtejshme thellojnë konfliktin, paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë për të gjithë”.

Sekretari Blinken tha se e vetmja rrugë për t’i dhënë fund konfliktit në Rripin e Gazës dhe për të sjellë qetësi në rajon është arritja e një armëpushimi.

Shtëpia e Bardhë tha të martën se Presidenti Joe Biden ka biseduar në telefon të martën me Presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi dhe udhëheqësin e Katarit Amir Sheikh Tamim Bin Hamad Al-Thani për të ripërtërirë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës. Udhëheqësit “ranë dakord për nevojën urgjente të mbylljes së procesit sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.

Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin në hakmarrje për sulmin terrorist të 7 tetorit, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng 250 të tjerë. Në ofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë rreth 40 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, ndërsa Izraeli thotë se ka vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit./VOA

Powered by WordPress