Shkuan: Afrim Kasolli
Dita e djeshme shënoi në një farë mënyre edhe fundin zyrtar të “martesës politike” ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Këtë divorc “tragji-komik”, ky i fundit kishte vendosur ta kumtonte para një pale të tretë, në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut.
Në pyetjen e një gazetari maqedonas se a konsideron shteti i Kosovës skandalin diplomatik në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ndaj Presidentes Osmani, ende “provokim të pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, kryeministri Albin Kurti këtë vlerësim të institucionit të Presidencës e quajti vetëm mendim që “mund ta ketë thënë vetëm ndonjë qytetar”, por që nuk paraqet edhe qëndrim te institucioneve te Republikës së Kosovës. Pra i pari i qeverisë së Kosovës më shumë ishte i interesuar që të tregonte për një pjesë të orgjinës familjare të Kryekuvendarit Glauk Konfjufca dhe ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Shvrac, se sa ta adresonte këtë shqetësim
I menjëhershëm ishte sot reagimi i Presidencës për mënyrën se si u adresua dje kjo teme në takimin ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Ky institucion e quajti për keqardhje mënyrën, se si u trajtua incidenti ndaj Republikës Kosovës dhe se si i tillë i shërben edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës.
Kjo gjuhë e helmatisur nuk ka dyshim se i jep fund kësaj aleance jo të shenjt ndërmjet dy liderëve kryesorë shtetërorë. Pra ajo e vulos atë proces që kishte filluar të manifestohej hapur që nga reagimi i presidentes Vjosa Osmani ndaj letrës së ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, drejtuar në çastet e fundit Këshillit Ministror të Këshillit të Evropës, ku Kosova zotohej se do ta adresonte draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vazhdoi me një tension shpotitës “artisiko-politike” dhe kulmoi me refuzimin e Vjosa e Osmanit për ta pranuar Glauk Konjufcën në takim e ftuar nga presidentja me liderët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Por shtrohet pyetja pse kjo armiqësi kishte nevojë të finalizohej dje në Shkup. Kryeministri dhe partia e tij kishin pasur mundësi ta bënin këtë akt shumë herë brenda vendit. Rastet nuk kanë munguar, sikur kur Vjosa Osmani ka kërkuar një qasje më të moderuar ndaj kërkesave ndërkombëtare. Pa asnjë telashe i pari i Qeverisë së Kosovës, ka mundur t’i ndërsej militantët e tij, kundër Vjosës për agjenda të brendshme me të njëjtën gjuhë që po kritikohet opozita, se më shumë e preferon nënshtrimin ndaj ndërkombëtarëve se sa vendosjen e sovranitetit të shtetit në pjesën veriore. Se në momentet me vendimtare historike, kur Kosova po përballet me presion të jashtëzakonshëm për ta penguar për të jetësuar këtë qëllim, ajo vendosi ta braktis këtë mision politik dhe historik.
Por jo, në vend të shfrytëzimi të këtyre rrethanave, Albin Kurti vendosi ta shfrytëzoi shansin që këtë divorc ta kumtoi nga Maqedonia e Veriut, para një kryeministri që vjen nga e djathta populiste, si Hristijan Mickoski, i cili një pjesë të rëndësishme te mbështetjes elektorale në etninë maqedone e ka fituar pikërisht duke e akuzuar partinë paraprake në pushteti LSDM, se ka bërë shumë kompromise dhe lëshime ndaj shqiptarëve në atë shtet. Pra fitorja e tij në masë i dedikohet dhe shfrytëzimit frustrimit kolektiv të qytetarëve maqedonas se shqiptarët kanë më shumë të drejta se sa që duhet t’i kenë.
Kurse siç dihet, kryeministri Kurti kishte qenë jo pak i involvuar në proceset e brendshme zgjedhore në vendin fqinj, në mbështetje të aleatëve shqiptarë të kësaj partie maqedone. Dhe kjo ishte vizita e tij e parë shtetërore pas një izolimi të gjatë diplomatik. Ndërkohë, Vjosa Osmani kishte kohë që ishte bërë pjesë e takimeve më burrështetas perëndimorë dhe në forume të tilla. Prandaj, ai vendosi ta sakrifikoi aleaten e deri djeshme politike edhe si shpërblim për ketë rifitim të paktën të relvancës rajonale gjeopolitik që ia mundësoi kryeminstri i Maqedonisë së Veriut. T’i tregoj botës se më ajo nuk përfaqëson asgjë. Se është një qytetare e thjesht e Republikës së Kosovës, pa asnjë peshë shtetërore.
Mjerisht, ky fund i palavdishëm politik i Vjosës për shkak të armiqësisë me Albinin, erdhi në mënyrën me të keqe të mundshme për shtetin, duke e nëpërkëmbur ata para një lideri populist si Hristijan Mickoski. /TV Arbëria