Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kujt i shërben vizita “anti-evropiane” e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut?

Kujt i shërben vizita “anti-evropiane” e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut?

 

Shkruan: Afrim Kasolli

Kryeministri Kurti sot po qëndron në një vizitë zyrtare në Maqedoni të Veriut. Kjo është vizita e tij parë zyrtare prej se pushtetin e ka marr kryeministri Hristijan Mickoski, nga partia VMRO-DPMNE. Sipas Qeverisë së Kosovës, në këtë takim do të diskutohen raportet bilaterale ndërmjet dy shteteve. Mirëpo, si tillë ajo po ndodh nën dritën e tensioneve të fundit diplomatike ndërmjet dy vendeve, pas incidentit më presidenten e shtetit Vjosa Osmani në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.

I pari i Qeverisë së Kosovës deri më tani ka qenë i heshtur, për këtë ngjarje që nga shumë kush u quajt si mega-skandal diplomatik. Kurse Ministria e Punëve të Jashtme i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar sqarime dhe hetim të rastit të 1 gushtit

Sipas institucionit të presidencës “një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani, në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”. Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet një reagimi ka pohuar, “se përderisa Osmani ishte duke kaluar nëpër kontrollin kufitar, në momentin që asaj iu kërkua që të linte telefonin e saj që të kalonte përmes skanerit, një pjesëtar i sigurimit të saj është tërhequr nga një punonjës i aeroportit, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”. Secila është vërteta e plotë e kësaj krisje ta raporteve ndërmjet dy shteteve mbetet të shihet pasi të hetohen plotësisht detajet e këtij rasti.

Mirëpo, përtej,këtij skandali, vizita e Albin Kurtit në këtë shtet, mund të analizohet dhe nga një optikë tjetër. Fillimisht, Kryeministri i Kosovës, kishte qenë tejet aktiv në proceset e brendshme elektorale në kuadër të trupit votues të shqiptarëve në atë shtet në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale, duke e favorizuar koalicionin VLEN, i cili sot është pjesë bashkëqeverisjes me Hristijan Mickoski-in, kundër “Frontit Evropian” të prirë nga Ali Ahmeti. Ai i kishte pritur në zyre të Qeverisë së Kosovës, disa herë përfaqësuesit e të parit duke u dhënë mbështetje politike në betejën e tyre të brendshme kundër liderit të BDI-së.

Ndërkohë, ajo që është më kryesorja kjo vizitë po ndodh edhe në një kontekst të çuditshëm ndërkombëtar si për Kosovën ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Prandaj me të drejtë mund të shtrohet pyetja se kujt i shërben si e tillë? Natyrisht, është në interesin e Prishtinës që të ketë raporte të mira ndër-fqinjësore me Shkupin. Mirëpo, këtu duhet të kemi parasysh faktin se si politika zyrtare e Maqedonisë së Veriut ashtu edhe ajo e Kosovës, janë kurthyer aktualisht sa i përket agjendës së integrimeve evropiane, ndonëse për arsye të ndryshme.

E para për shkak se partia VMRO-DPMNE- është zotuar se nuk do ta plotësojë kushtin e Bullgarisë për ndryshime kushtetuese me qëllim përfshirjen e etnisë bullgare brenda saj. E një Maqedoni e bllokuar në këtë agjende vetëm interes i shqiptarëve nuk është. Madje ajo mund te mbijetojë si shtet për aq kohë sa qëndron në binarë të proceve euro-atlantike.

Ndërkaq, Kosova është bllokuar në këtë agjendë për shkak procesit të dialogut me Serbinë dhe mosplotësimit të obligimeve që është zotuar se do t’i jetësojë, veçanërisht detyrimeve që dalin nga Marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i zbatimit të Ohrit. Madje për këtë arsyeje, por jo vetëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është izoluar tej mase ndërkombëtarisht. Shto edhe këtu faktin mbi paralajmërimin e tensioneve të mundshme me shtetet e QUINT-it dhe KFOR-in ,për shkak të kundërshtimit të këtyre te fundit për ndryshimin e statusit të urës mbi lumin Ibër.

Kështu, kjo vizitë shtetërore në Shkup mund t’i krijojë përshtypje se ka çarë përkohësisht këtë margjinalizim dhe të paktën ka fituar relevance rajonale gjeopolitike. Por si e tillë ajo nuk i ndihmon as Kosovës dhe as Maqedonisë së Veriut në staze afatgjate nëse mbesin të bllokuara në agjendën e tyre integruese evropiane, pavërisht vizionit të pushtetit të ri në Shkup, që u artikulua para pak kohe nga presidentja e këtij shteti, Gordana Silanovska-Davkova, “së pari rajoni mëpastaj Evropa”. Sepse operimi brenda suazave të kësaj fryme, ku rajoni mund tw kompensohet me Evropën, i jep karakter “anti-evropian” kësaj vizite./TVArbëria/

Powered by WordPress