Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Protestat në Bangladesh, shefi i ushtrisë me fjalim para kombit

Protestat në Bangladesh, shefi i ushtrisë me fjalim para kombit

Shefi i ushtrisë së Bangladeshit do t’i drejtohet kombit në orën 14:00, ndërsa protestat e reja kanë shpërthyer në vendin e trazuar të Azisë Jugore për dorëheqjen e kryeministres Sheikh Hasina.

Bëhet e ditur se aktivistët studentorë kanë bërë thirrje për marshim drejt kryeqytetit në kundërshtim me një shtetrrethim mbarëkombëtar, për t’i bërë presion kryeministres të jap dorëheqje, një ditë pas përleshjeve vdekjeprurëse në të gjithë vendin ku u vranë afro 100 njerëz.

Ndërsa protestuesit kanë filluar të marshojnë në disa vende, transportuesit e blinduar dhe trupat po patrullojnë rrugët e kryeqytetit.

Siç raportohet, policia ka hedhur granata zanore në disa pjesë të qytetit për të shpërndarë grupe të vogla protestuesish.

Diku tjetër, mijëra protestues kanë rrethuar oficerët e zbatimit të ligjit të vendosur përpara një ndërtese kyçe, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, shefi i ushtrisë, gjenerali Waker-Uz-Zaman do t’i drejtohet popullit.

Deri atëherë, qytetarëve i është kërkuar që të përmbahen nga dhuna dhe të jenë të durueshëm.

Ndryshe, Bangladeshi është përfshirë nga protestat dhe dhuna që nga muaji i kaluar pasi grupet studentore kërkuan heqjen e një sistemi të diskutueshëm kuotash në vendet e punës.

Kjo u përshkallëzua në një fushatë për të kërkuar rrëzimin e kryeministres Hasina, e cila fitoi një mandat të katërt radhazi në janar.

Të paktën 91 njerëz u vranë dhe qindra u plagosën në një valë dhune në të gjithë vendin prej 170 milionë banorësh, i cili tani ka vendosur një shtetrrethim mbarëkombëtar.

Powered by WordPress