Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani po qëndron në Kroaci së bashku me bashkëshortin e saj, Prindron Sadriun.
Me ftesë të presidentit kroat, Zoran Milanoviq, ajo po merr pjesë manifestimin tradicional Sinjska Alka. Milanoviq po e organizon këtë në një atmosferë zgjedhore para zgjedhjeve presidenciale të fundvitit.
Atje ka shkuar edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, një rival i Milanoviqit.
Plenkoviq tha nga atje se Milanoviq i përket së kaluarës.
“Mendoj se zgjedhjet do të tregojnë se Kroacia ka nevojë për ndryshim, Primorac është e ardhmja”, tha Plenkoviq, duke iu referuar kandidatit për president të cilin e mbështet partia e tij.
Ai pati vërejtje edhe për mënyrën e organizimit të kësaj ngjarjeje, ndërsa deklarimi i tij para mediave u përqendrua te zgjedhjet.
Plenkoviq që vjen nga HDZ-ja dhe Milanoviq që vjen nga paria e majtë socialdemokrate nuk ia zgjatën dorën njëri-tjetrit.
Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman tha se kundërkandidati i Milanoviqit për president të vendit “do ta përdorë reputacionin e tij për ta rikthyer Kroacinë, në mënyrë që t’i kthehet dinjiteti dhe dinjiteti postit të presidentit”.
Ai tha se presidenti aktual Milanoviq s’pati asnjë takim në samitin e NATO-s që u mbajt në korrik në Washington. Për të tha se “nuk flet me askënd”.
“Ai është shkelës i Kushtetutës, nuk e njeh rendin kushtetues dhe juridik, na vë në siklet nëpër botë, na e bën namin e keq”, shtoi ministri.