Blog Post

Arbëria TV > Bota > Më shumë se 30 të vrarë në një sulm terrorist në plazhin popullor të Somalisë

Më shumë se 30 të vrarë në një sulm terrorist në plazhin popullor të Somalisë

Të paktën 32 persona janë vrarë dhe 63 të tjerë janë plagosur në një sulm në një hotel në plazhin Lido në kryeqytetin somalez të Mogadishu.

Bëhet e ditur se pas raportimeve për shpërthim dhe të shtëna me armë zjarri në vendngjarje kanë shkuar forcat e sigurisë.

E përgjegjësinë për sulmin e kanë marrë militantët e lidhur me Al-Qaedan, Al-Shabaab, përmes sistemit të radios.

Raportohet se një nga luftëtarët e tyre vdiq pasi shpërtheu një bombë vetëvrasëse, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve somaleze tha se forcat e sigurisë kanë “neutralizuar sulmuesit”, ndërsa zëdhënësi i policisë major Abdifatah ka njoftuar se një ushtar është vrarë.

Dëshmitari Mohamud Moalim tha se ai pa një sulmues të veshur me një jelek shpërthyes pak çaste përpara se burri “të hidhte në erë veten pranë hotelit me pamje nga plazhi”.

Ai shtoi se disa nga miqtë e tij që ishin me të në hotel u vranë dhe të tjerët u plagosën.

Ndryshe, sulmet militante janë të shpeshta.

Zona e plazhit Lido ka qenë në të kaluarën shënjestër e militantëve aleatë të al-Shabaab.

Sulmi më i fundit i vitit të kaluar rezultoi në nëntë të vrarë.

Në një sulm të veçantë të shtunën, media shtetërore raportoi se shtatë persona vdiqën pasi një automjet pasagjerësh u godit nga një bombë rreth 40 kilometra larg kryeqytetit.

Al-Shabaab ende kontrollon pjesë të Somalisë jugore dhe qendrore dhe vazhdon të kryejë sulme në Mogadishu dhe zona të tjera ndërsa pranon miliona dollarë në vit nga banorët dhe bizneset në përpjekjen e saj për të imponuar një shtet islamik.

Presidenti somalez, Hassan Sheikh Mohamud, vitin e kaluar shpalli një “luftë totale” ndaj militantëve ndërsa vendi fillon të marrë përgjegjësinë për sigurinë e tij.