Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po humb politikisht atë që e po fiton ushtarakisht Izraeli kundër Hamasit?

A po humb politikisht atë që e po fiton ushtarakisht Izraeli kundër Hamasit?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Që kur ka filluar invadimi tokësor i Forcave Mbrojtëse të Izraelit në Rripin e Gazës, me qëllim zhdukjen Hamasit, organizatës së shpallur si grup terrorist nga SHBA-të, Izraeli dhe Bashkimi Evropian, grup ky përgjegjës për sulmin e 7 tetorit ku mbetën të vrarë 1200 civile dhe u kidnapuan rreth 250 izraelitë, nuk kanë munguar dyshimet se kjo strategji e Izraelit më shumë është duke forcuar se sa dobësuar këtë organizatë. Dhe sipas shumë analistëve ndërkombëtarë,  ky paradoks vjen si pasojë faktit se Tel Avivi, deri më tani është fokusuar vetëm në përdorim të forcës pa një qëllim të qartë politik.

 

Kryeministri, Benjamin Netanyahu, disa herë ka deklaruar se “ne do ta përfundojmë luftën vetëm kur të arrijmë të gjitha qëllimet tona, duke përfshirë eliminimin e Hamasit dhe lirimin e të gjithë pengjeve tanë”.

 

Mirëpo, mjerisht asnjëri nga këto objektiva nuk është arritur. Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka pohuar se numri i viktimave ka shkuar në 38.000. Kurse sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 1.9 milionë e popullsisë së Rripit është zhvendosur, kurse deri në 80 përqind e infrastrukturës duke përfshirë shtëpitë, spitalet, ujësjellësi dhe rrjeti tjetër i shërbimeve publike është shkatërruar. Sot Gaza i ngjason thjesht një djerrine (wasteland). Mirëpo, Robert A. Pape,  në artikullin e botuar para pak dite në Foreign Affairs , “Hamas Is Winning -Why Israel’s Failing Strategy Makes Its Enemy Stronger” ka shkruar se me gjithë këtë fushatë të jashtëzakonshme destruktive, përsëri  pushteti dhe ndikimi i Hamasit në popullsinë lokale është duke  shtuar. (But thanks to Israel’s assault, Hamas’s power is actually growing). Dhe dukuri të tilla sipas autorit në fjalë, kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Bie fjala, gjatë luftës në Vietnam, sa më totale bëhej lufta ushtrisë amerikane kundër forcave vietnameze në veri, më shumë shtohej numri i tyre.

 

Një tjetër taktikë që Izraeli e ka ndjekur edhe me herët, por e ka intensifikuar veçanërisht pas sulmit të 7 shtatorit për ta shkatërruar këtë organizatë ka qenë eliminimi i kokave të saj të drejtuese. Vrasja e Ismail Haniyeh, njërit prej figurave kyçe politike të Hamasit, në Iran, ndonëse askush nuk e ka marr përgjegjësinë për këtë atentat, është vetëm një rast, në mesin e shumë të tjerave që kanë ndodhur në këtë kohë. Madje të njëjtit forcat izraelite ia kishin vrarë tre djem dhe nipin në një sulm ajror në Gaza.

 

Por përsëri kjo lëvizje ia ka dalur që ta ushqejë drejtimin  saj me figura të reja. Dhe sikur kjo metodë të ishte treguar efikase, Hamasi do të ishte shpërbërë me kohë.   Në vitin 1996 forcat e sigurimit të Izraelit e patën eliminuar Yahya Ayyash, njërin prej figurave kryesore operacionale. Kurse në vitin 2004 themeluesin e Hamasit,  Ahemd Yassin. Por asnjë nga këto akte nuk kanë pasur sukses, edhe përkundër faktit se vetëm pas 7 tetorit, mbi 100 drejtues të saj janë eliminuar.

 

Prandaj, ka të drejtë Audrey Kurth Cronin, në shkrimin e botuar në të njëjtën “How Hamas Ends-A Strategy for Letting the Group Defeat Itself” kur shkruan se rruga më sigurt drejt suksesit të demolimit të kësaj organizate është vetmundja e saj. Për këtë autor, organizatat terroriste historikisht janë shuar ose nëpërmjet represionit, realizmit të qëllimeve të tyre sikur ne rastin grupit izraelit Irgun  para themelimit të këtij shteti, apo eliminimit të kokave kryesore drejtuese të tyre, apo edhe marrëveshjeve ndërmjet palëve ndërluftuese sikur si në rastin “Marrëveshjes së Premtes së Mirë” ndërmjet Qeverisë Britanike dhe grupeve paraushtarake irlandeze, ku ndër më njohura ishte IRA, e cila i dha fund luftës së gjatë dhe sulmeve terroriste në Irlandën e Veriut.

 

Pra, secila prej këtyre metodave nuk duket që mund të ketë kryen punë në rastin e Hamasit. E para vetë organizata nuk ka mundësi t’i realizojë qëllimet saj të proklamuara, sikur se zhdukja e Izraelit.  E dyta edhe fushata ushtarake i izraelit me qëllim zhdukjen e organizatës deri më tani ka ndikuar në shtimin e popullaritetit të saj edhe mesin e popullsisë së zakonshme palestineze. Përkundër faktit se para 7 tetorit Hamasi nuk e gëzonte këtë mbështetje. Mirëpo. si duket numri i madh i viktimave civile ka prodhuar efekte të kundërta. Prandaj, si njëra nga metodat efikase në zhdukjen e Hamasit mbetet armiqësimi i popullsisë lokale kundër kësaj organizate. Armiqësim ky që te ketë sukses mbase nuk mund të bëhet vetëm ushtarakisht, pa një veprim të qartë politik./TV Arbëria

Powered by WordPress