Shkruan: Afrim Kasolli
Dita e djeshme, më shumë se asnjë herë tjetër e bëri të qartë një konfrontim të ri të mundshëm që mund të krijohet ndërmjet Kosovës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare, mbi përpjekjet e së parës për ta hapur për qarkullim këtë urë edhe për automjete. Pas takimit ndërmjet kryeministrit Kurti me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it, Ambasadori i Shteteve t Bashkuara n Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tregoi hapur “se nuk e mbështesin ndryshimit e statusit të urës së qytetit të Mitrovicës. Ai këto komente i bëri nën emrin e këtij trupi diplomatik dhe forcës paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë, KFOR.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, nëpërmjet një reagimi për media pa ekuivoke deklaroi se “ura duhet të hapet, sepse ajo ajo është në shërbim të të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.
Nuk munguan as deklarimet e militantëve të pushtetit duke i këshilluar shtetet perëndimore se si duhet të sillen e si kanë për obligim të vetëpërmirësohen. Madje, duke krijuar edhe asi asociacione ideosinkratike, se si të parët me këtë qasje po i bëjë favore vetëm Aleksandër Vuqicit, kurse ky i fundit Rusisë e kështu me radhë, dhe se vetëm Qeveria e Kosovës mbetet vetmuar në rezistencën e duhur ndaj Moskës dhe planeve të saj imperiale revizioniste gjeopolitike.
Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që pushteti aktual gjatë këtij mandati i ka acaruar raportet me shtetet aleate. Janë të njohura rastet paraprak. Madje nuk kishin munguar as ofendimet e kryeministrit Kurti ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke kualifikuar këtë të fundit si naiv. Mirëpo, ky konfrontim mund të jetë më fatali për Kosovën. Si në aspektin e sigurisë, sepse bëhet fjalë për një përplasje të mundshme me forcën paqeruajtëse të NATO-së, diçka qe Kosova nuk guxon ta lejojë të ndodh me asnjë çmim, si dhe ashtu edhe për kontekstin politik ndërkombëtar që mund të ndodh.
E para tashmë vëmendja e pjesës më të madhe të zyrtarëve amerikanë është e fokusuar në dy ngjarje tjera. Fillimisht, zgjedhjeve të brendshme presidenciale dhe dy e rrezikut të përshkallëzimit ekstrem të situatës në Lindje të Mesme dhe një sulmi të mundshëm të Iranit ndaj shtetit të Izrealit. Konflikt ky që kërkon impenjim total të SHBA-ve në menaxhimin e situatës, pa përjashtuar këtu as vazhdimin e luftës në Ukrainë. Kurse Bashkimi Evropian gjendet në procesin e konsolidimit të strukturave të reja që kanë dalur nga zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian. E të mos flasim këtu për avancimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe dy shteteve kryesore evropiane, Gjermanisë dhe Francës, si pasojë e interesave të tyre ekonomike për ta kompensuar mungesën e resurseve energjetike nga sanksionimi i Rusisë dhe balancimi ekonomik i Kinës. Kurse, kryeministri i Kosovës aktualisht gjendet në një izolim të pa precedent ndërkombëtar.
Nuk ka dyshim se elektrizimi i kësaj atmosfere mund të përdoret për qëllime të brendshme elektorale. Qeveria e Kosovës do ta përdor argumentin se pozicioni i palakmueshëm ndërkombëtar ku gjendet shteti ka qenë i domosdoshëm që të fitohet sovraniteti në pjesën veriore të vendit. Sepse çdo lindje e re historike kalon nëpër dhimbje të pashmangshme shoqërore, është pak a shumë refreni i njohur zyrtar i pushtetit. Kryetarët e shqiptarë në katër komunat veriore, sekuestrimi i vilave të Milan Radoqicit dhe shndërrimi i liqenit të Ujmanit në një atraksion të ri turistik janë vetëm disa nga fitoret e këtyre viteve të fundit, të cilat kurrë nuk do të ishin realizuar pa këtë qasje të re politike dhe diplomatike. Dhe ky narracion ka gjasa që edhe të ketë sukses të brendshëm politik, pavërisht humbjeve të jashtme shtetërore, sidomos kur marrim parasysh heshtjen e opozitës ndaj kësaj hegjemonie.
Mirëpo radikalizmi i këtij qëndrimi sikurse në rastin konkret, duke mos marrë parasysh as rekomandimet e NATO-së, me pretendimin se në këtë mënyrë vetëm po i mbrojnë ato vlera që i afirmojnë shtetet perëndimore brenda shteteve të tyre, sikur liria e lëvizjes pa pengesa etj, dëshmon se në të vërtetë Kosova, në mënyrë te vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, po e instalon në doktrinë zyrtare, trashëgimin e mësimeve të Mao Zedong-it, i cili dikur thoshte se “ekziston një kaos i madh ndër qiell, situata është shkëlqyeshme”( there is e great disorder under heaven, the situation is excellent)