Shkruan: Fahri Xharra
Lav Trocki–hebreu i Rusisë, borizani i vuajtjeve shqiptare
Heshtja e të kaluarës sonë, heshtja e bëmave mbi ne, ishin të qëllimta. Ishin “kujdestarët” që kujdeseshin që ne mos të dimë se çka po ndodh me ne. Ishin “kujdestarët” që na e fshehnin të kaluarën, që për hir të asaj ose kësaj të mos dimë se çka është bërë mbi ne. Garantuesit e heshtjes historike gjithmonë në një mënyrë apo tjetër na e pasqyronin vetëm atë, që neve na mbetnin shumë gjëra të paditura. S’donin që ne të kemi një krenari nga e kaluara, edhe pse ajo ishte një përulje, një shembje e mllefeve shekullore mbi ne. Thjesht kujdeseshin që të mos kemi se çka të mbajmë në mend. Apo që të mos kemi se çka të bartim te brezat e rinj.
Pasi jemi tek hebrenjtë, si mos të përmendet Leon Trotsky–hebreu i Rusisë, i cili ia bëri të ditur botës së civilizuar, vuajtjet dhe mjerimet, vrasjet dhe djegiet e shqiptarëve gjatë Luftës Ballkanike
1912-13. Ishte fat i madh që ai ishte gazetar nga Rusia dhe si i tillë ishte dëshmitar i gjallë i tmerrit serb mbi shqiptarët. Serbët i besonin, sepse ishte nga Rusia, por ai kryente punën e tij në gazetat ruse të kohës.
E kisha rastin që fatbardhësisht apo fatkeqësisht, gjatë kohës sa zgjaste lufta (1912), të vizitoja Uskubin (Shkupin), disa ditë pas luftës së Kumanovës. Më bëheshin pengesat artificiale që unë mos t’i vizitoj ato anë, nga një ndërgjegje jo e pastër e atyre që i bënin ata gjëra. Një gjeneral (serb) që unë e njihja që më parë kur e mori vesh cakun e udhëtimit tim me një armiqësi të pafshehur më tha se nuk kisha arsye që unë të vizitoja Shkupin. Por kur e pa vendosmërinë time atëherë, më tha se do të shoh gjëra të pakëndshme, por që nuk mund t’iu ikësh ( Lev Trotsky, “Luftat Balkanike 1912-1913”). Pra ishin “gjëra të mëdha” shtetërore, të cilave nuk mund t’iu ikësh. Dikush duhej të kishte shënime mbi ato tmerre. Kush? Forcat ushtarake? Qeveria serbe? Po që po.
Por ne jo, as në kohën kur ato kanë ndodhur e as deri më tani. E ne nuk guxonim të dinim, neve na mashtronim me gjëra tjera më të “këndshme”.
Tmerret, – vazhdon Trotsky,- filluan të shihen porsa iu afruam Kumanovës. Çdo gjë rreth nesh ishte në flakë. Fshatra të tëra shqiptare ishin shndërruar në gërmadha zjarri e shkrumbi. Kjo më ishte përshtypja e parë e vërtetë e një shkatërrimi të pamëshirshëm të parë në një zonë lufte. Vatrat, pasuria e krijuar nga etërit, gjyshërit e stërgjyshërit zhdukeshin nga flakët. Kjo pamje e zjarreve na përcolli deri në Shkup. Porsa zbrita nga vagoni, natë, askund asnjë njeri i gjallë: përveç zërave të dehur të ushtarëve dhe kësaj skene që pashë”.
Katër ushtarë i mbanin bajonetat në të gatshëm, kurse në mes dy shqiptarë shumë të rinj me plisat e tyre në kokë. Komitaxhinjtë (çetnikët) në dorën tjetër e mbanin shishen e rakisë dhe jepnin urdhër: “Përtokë shtrihuni!” dhe shqiptarët binin në gjunjë dhe ngriheshin në urdhrin tjetër. Disa herë.
Pastaj çetniku i dehur duke i kërcënuar dhe sharë i shponte me majën e thikës herë në fyt e herë gjoks: duke i urdhëruar që të pinin raki nga shishja e tij. Të dehur nga fuqia e armës dhe nga rakia e gjaku, argëtoheshin duke luajtur me ta. ”Ata janë Arnaut”- më thoshte shoqëruesi,-“dhe së shpejti do t`i presin” (Lev Trotsky).