Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > VOA: Cilët janë individët që kërkoi Rusia në këmbimin me Shtetet e Bashkuara

VOA: Cilët janë individët që kërkoi Rusia në këmbimin me Shtetet e Bashkuara

Një familje ‘agjentësh të fjetur’ rusë, spiunë që janë dërguar nga Moska në vende të tjera në pritje të vendimeve për të vepruar ndonjëherë për vite ose dekada, fluturuan për në Rusi të enjten në shkëmbimin më të madh të të burgosurve Lindje-Perëndim që nga Lufta e Ftohtë.

Kjo familje, që ishte arrestuar dhe dënuar në Slloveni, ka vepruar në mënyrë aq të fshehtë sa edhe fëmijët e saj e morën vesh se ishin rusë vetëm pasi u nisën me avion drejt Moskës, njoftoi Kremlini të premten.

“Ata nuk e dinin se ishin rusë dhe se kishin ndonjë lidhje me vendin tonë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Me siguri e keni parë që kur fëmijët zbritën nga shkallët e aeroplanit, Putini i përshëndeti në spanjisht. Ai tha ‘buenas noches’”.

Duke dhënë detaje të reja në lidhje me shkëmbimin dhe të liruarit, zoti Peskov konfirmoi se Vadim Krasikovi, vrasës me pagesë i liruar nga Gjermania, ishte punonjës i shërbimit të sigurimit rus, FSB. Sipas zotit Peskov, ai kishte shërbyer në grupin ‘Alpha’, njësinë e forcave speciale të FSB-së.

Vadim Krasikov u dënua nga një gjykatë gjermane për vrasjen e një ish-militanti çeçen në një park të Berlinit, në vitin 2019. Presidenti Vladimir Putin e përqafoi atë pasi doli nga aeroplani me të cilin udhëtoi drejt Moskës, të enjten në mbrëmje.

I veshur me një kapele bejsbolli dhe një bluzë sportive, ai ishte i pari nga të kthyerit që zbriti nga avioni dhe takoi Presidentin Putin. Kjo sinjalizoi rëndësinë e tij për Moskën, e cila krenohet me sjelljen e operativëve të zbulimit, të arrestuar jashtë vendit.

Ndër të liruarit ishin të ashtuquajturit agjentë të fjetur apo “të paligjshmit”; çifti Dultsev, një burrë dhe një grua të dënuar nga një gjykatë në Slloveni. Ata pretendonin se ishin nga Argjentina dhe drejtonin një kompani të teknologjisë së informacionit.

Dmitry Peskov tha se ndërsa çifti po mbahej në burg, atyre rrallë herë iu dha mundësia që të takonin fëmijët e tyre dhe kishin frikë se mund të humbnin të drejtat e tyre prindërore.

“Fëmijët pyetën prindërit e tyre të enjten se kush po i priste t’i takonte në Moskë. Ata as që e dinin se kush ishte Putini. Kështu funksionojnë ‘të paligjshmit’. Ata bëjnë sakrifica të tilla nga përkushtimi ndaj punës së tyre”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Peskov.

Ai tha se agjencitë qeveritare ruse po punonin për lirimin e rusëve të tjerë jashtë vendit. Shkëmbimi ishte negociuar nga FSB-ja dhe Agjencia Qendrore e Zbulimit e Shteteve të Bashkuara (CIA), tha ai.

Vendimi i Presidentit Putin për t’i takuar ata në aeroport ishte “një nderim për njerëzit që i shërbejnë vendit të tyre dhe që pas sprovave shumë të vështira dhe falë punës së palodhur të shumë njerëzve, kanë mundur të kthehen në atdheun e tyre”, tha ai.

Shkëmbimi përfshinte 24 të burgosur, përfshirë 16 që liroheshin nga Rusia dhe udhëtuan drejt perëndimit dhe tetë të burgosur të mbajtur në Perëndim, të kthyer në Rusi. Ndër të liruarit nga Moska ishin gazetari amerikan Evan Gershkovich dhe disidenti rus Vladimir Kara-Murza, i cili ka edhe nënshtetësinë britanike.

Pavarësisht se Moska liroi më shumë të burgosur sesa mori, ajo u portretizua nga autoritetet ruse si një fitore dhe duket se me këtë pajtoheshin njerëzit në rrugët e Moskës.

“Unë nuk merrem me politikën fare, por sido që ta shikoni: çdo shkëmbim është i mrekullueshëm, pasi shokët tanë rusë u kthyen në atdhe”, tha Zulfia, e intervistuar në qendër të qytetit.

Andrei Lugovoi, ish-spiun i kërkuar nga Britania për vrasjen e disidentit Alexander Litvinenko nëpërmjet helmimit me lëndë bërthamore dhe që tani shërben si kreu i një partie ultranacionaliste në Dumën ruse, shkroi në ‘Telegram’: “Njerëzit tanë janë në shtëpi me familjet e tyre. Për kthimin e secilit prej tyre nuk është keq të dorëzosh ca fundërrina agjentë të huaj”.

I pyetur nëse shkëmbimi i të burgosurve ishte një shenjë se Rusia mund të ishte gati për të arritur një marrëveshje kompromisi për Ukrainën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ato ishin situata të ndryshme. Ai shtoi se puna për një zgjidhje të mundshme diplomatike për atë që Rusia e quan “operacioni special ushtarak” në Ukrainë po bëhet mbi “parime të ndryshme”.

Powered by WordPress