Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ura e tensioneve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtareve

Ura e tensioneve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtareve

“Tensioni” mes Qeverisë Kurti dhe aleatëve ndërkombëtar vetëm po vazhdon të rritet, shkruan TV Arbëria.

Kësaj radhe kryetema është hapja e Urës së Ibrit.

Gjatë ditës së sotme Ambasadorët e shteteve të Quint-it i shkuan në zyre kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, pas këtij takimi ambasadori i SHBA-ve, Jeff Hovenier u deklarua për media se Ura e Ibrit nuk duhet të hapet.

“Shtetet e Quint-it, në konsultim me NATO-n, nuk e përkrahim asnjë ndërrim të statusit të Urës se Ibrit”, tha Hovenier.

Në të njëjtën kohë Qeveria e Kosovës mbetet e vendosur për hapjen e Urës së Ibrit, ku pas takimit menjëherë doli me njoftim.

“Ky takim sot u zhvillua pikërisht 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur me 2 gusht 2016 në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës në kuadër të dialogut në Bruksel, e që u pasua pastaj me Planin e Bashkimit Evropian për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime. Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër. Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, thuhet në njoftimin e Zyrë së Kryeministrit.

Tutje në njoftim thuhet se ura është simbol i lëvizjes së lirë dhe se ura duhet të hapet.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi.

Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë”, njofton ZK-ja.

Rreth kësaj teme ka reaguar edhe e para e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila thotë se çështja e Urës së Ibrit nuk duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi sepse sipas saj do të ishte shkelje e sovranitetit të Kosovës.

“Reagim ndaj deklaratës së sotme të BE-së se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”, deklaroi presidentja.

Lidhur me këtë temë ka pasur edhe reagime të shumta nga analistë e figura politike.

Analisti Afrim Kasolli për TV Arbëria rreth kësaj ka thënë se deklarimi i ambasadorit amerikanë Jeff Hovenier se nuk e përkarahin hapjen e Urës së Ibrit paralajmrojnë se mund të ketë tensione mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare.

VIDEO

Ura e Ibrit i bashkon dy pjesët e qytetit Mitrovicën urbane dhe Mitrovicën e vjetër, dhe aktualisht është e hapur vetëm për lëvizjen e qytetarëve në këmbë por jo për automjete. /TV Arbëria

Powered by WordPress