Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Agusholli: Ura nuk është dashur të mbyllet kurrë, e lëre më të bëhet temë diskutimi në Bruksel

Agusholli: Ura nuk është dashur të mbyllet kurrë, e lëre më të bëhet temë diskutimi në Bruksel

Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, po insiston se Ura e Ibrit në Mitrovicë, duhet të hapet. Por, për këtë nuk po gjen mbështetje te aleatët ndërkombëtarë, të cilët qartazi thanë se nuk e përkrahin ndryshimin e statusit të kësaj ure.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, deputeti nga LVV, Gramos Agusholli, thotë se ura nuk është dashur që të mbyllet kurrë, e lëre më të bëhet temë diskutimi në Bruksel.

“Unë konsideroj se çdo ndalesë e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave është një shkelje e parimeve bazë të demokracisë. Ura nuk është dashur të mbyllet kurrë, e lëre më të bëhet temë diskutimi në Bruksel”, tha ai.

Tutje, ai thekson se hapja e urës është një dëshmi se shteti ka shtrirë sovranitetin edhe në pjesën veriore ku nuk ka asnjë problem mes komuniteteve atje.

“Hapja e urës është një dëshmi e qartë se shteti ynë ka shtrirë sovranitetin edhe në pjesën veriore, dhe nuk ka asnjë problem mes komuniteteve atje. Kjo çështje nuk duhet të jetë e negociueshme me askënd tjetër, përveçse me popullin tonë”, shtoi Agusholli.

Agusholli potencon se duhet të këmbëngulim në hapjen e saj dhe të koordinohemi me shtetet aleatë për ta arritur këtë, ku shton se për këtë vendim duhet të jemi të gjithë të bashkuar.

“Megjithatë, duke qenë se jemi në këtë situatë, mendoj që duhet të këmbëngulim në hapjen e saj dhe të koordinohemi me shtetet aleate për ta arritur këtë. Zërat që thonë se kjo është një ‘fushatë parazgjedhore’ dhe se ‘do të na prishë me ndërkombëtarët’, janë krejtësisht të pabaza në këtë moment. Për këtë vendim duhet te jemi të bashkuar dhe të veprojmë në të mirë të qytetarëve dhe interesit të shtetit tonë”, përfundoi Agusholli për GazetaBlic.