Kryeministri Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 448 kadetëve të Policisë së Kosovës, prej tyre çdo e pesta grua, të cilët sot u betuan si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Para të diplomuarve, Kurti tha se policia po shton e forcon radhët e saj duke qenë kështu “në nivelin më të lartë të detyrës, në zbatim të misionit të saj në mbrojtjen e qytetarëve, sundimin e rendit e të ligjit, dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial të Republikës sonë”.
“Këtë vit Policia e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit të saj, sikurse vendi ynë që shënon 25-vjetorin e çlirimit. Një çerek shekulli liri, një çerek shekulli shërbim me përkushtim për të gjithë dhe pa dallim. Ajo ka promovuar vlerat e mira të shoqërisë sonë dhe i ka thyer barrierat e padrejta që përkojnë me detyrën dhe shërbimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Jam shumë i lumtur që edhe në këtë gjeneratë, nga 448 kadetët që diplomojnë sot, çdo e pesta është grua dhe nga sot e tutje ato do të marrin titullin e zyrtareve policore. Sikurse në çdo gjeneratë tjetër, edhe sot diplomojnë kadetë nga radhët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, ndërsa është hapur konkursi i veçantë po ashtu për komunitete, që të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, u shpreh ai.
Javën që lamë pas, u shënua Dita Memoriale e Policëve të Rënë në Krye të Detyrës dhe 13-vjetori i rënies së zyrtarit policor, Heroit të Kosovës, Enver Zymeri, kryeministri u shpreh se 23 zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës janë dëshmia e shërbimit ndaj vendit dhe qytetarëve, përkushtimit në shërbim dhe e atdhedashurisë pa mbarim.
“Ata dhanë jetën në patrullime të rregullta, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, dhe në mbrojtjen e rendit publik e të sovranitetit shtetëror. Ata janë udhërrëfyesi më i qartë për t’u ndjekur nga ju sot që diplomoni, nga ata që janë në shërbim e ata që do të forcojnë radhët e Policisë në vijim”, deklaroi kryeministri.
Ndërkaq, Kurti dha zotim se “nuk do të ndalet së mbështeturi Policinë e Kosovës”.
“Kur kemi marrë detyrën si Qeveri, buxheti për Policinë e Kosovës ka qenë 91 milionë euro. Sot është për gati 50% më i lartë (135 milionë euro). Si rezultat i kësaj, kushtet e punës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë më të mira. Brenda periudhës tre vjeçare, kemi investuar afër 17 milionë euro në pajisje policore logjistike, 3 milionë në rregullimin dhe ndërtimin e objekteve policore, 7.8 milionë euro në blerjen e 320 automjeteve dhe autoblindave të reja. Përkushtimit profesional për të shërbyer, ia kemi dhënë mbështetjen institucionale që meriton”, shtoi ai.
Ai gjithashtu uroi edhe familjarët e policëve të rinj dhe shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që ua kanë dhënë atyre në rrugën që ato e ata e kanë zgjedhur.