Shkruan: Agron Hoti
Si po na lexon bashkësia ndërkombëtare?
Serbia as me qindra tankse, topa, ushtri, polici e terror s’kishte mundur ta shtrinte sovranitetin në Kosovë, derisa shqiptarët ishin përjashtuar nga të gjitha institucionet dhe kishin filluar jetën paralele, të cilën jetë ua njohu bota përmes çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës për herë të parë në histori. Pra, kishte qenë përjashtimi i shqiptarëve nga jeta politike dhe institucionale që i kishte hapur rrugë çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Ndërkohë, edhe Kosova as me mijëra policë s’do të mund ta shtrijë kurrë sovranitetin në veri, derisa serbët atje të jenë të përjashtuar nga të gjitha institucionet e Kosovës. Sa më shumë që serbët ngelen jashtë institucioneve të Kosovës aq më shumë do të fitojnë mbështetje ndërkombëtare për ta shpallur autonominë, të cilën më pas do t’ua njohë bashkësia ndërkombëtare, kuptohet kjo nëse Kosova s’tregon asnjë gatishmëri serioze për integrimin e veriut.
Pra, është përjashtimi i serbëve nga jeta politike dhe institucionale që po ua mundëson të ndjekin 100% të njëjtën rrugë që kishte ndjekur Kosova kundër Serbisë në vite të 90-ta. E dhimbshme, por e vërtetë. Rrugët e ndara mes Kosovës dhe serbëve të veriut çojnë në ndarje, saktësisht siç jeta jonë paralele na ndau nga Serbia. Rrugët e përbashkëta mes Kosovës dhe serbëve të veriut bëjnë bashkimin. E se cilën rrugë është duke e ndjekur Kosova është më se e qartë, së paku po deri me sot.
Pavarësisht se a na pëlqen apo jo, pavarësisht se a është e drejtë apo jo, bashkësia ndërkombëtare është duke e lexuar kështu situatën e serbëve të veriut. Izolimi dhe futja e Kosovës nën sanksione përëndimore janë argumenti më bindës për këtë.