Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se vrasja e liderit të grupit islamik palestinez të Hamasit, Ismail Haniyeh, nuk është në dobi të arritjes së një armëpushimi në luftën e Izraelit në Gazë.
Bëhet e ditur se ka pasur një rrezik në rritje të një përshkallëzimi në një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme pasi vrasja e Haniyeh në Iran tërhoqi kërcënime për hakmarrje kundër Izraelit.
Vdekja e Haniyeh u konfirmua edhe nga vetë Hamasi dhe Garda Revolucionare e Iranit e cila kishte marrë pjesë në bisedimet indirekte të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për arritjen e një armëpushimi.
Por, tani banorët në Gazën e rrethuar nga Izraeli janë të frikësuar se vrasja e liderit të Hamasit do ta zgjasë luftën, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
“Kjo nuk ndihmon”, tha Biden kur u pyet nëse vrasja e Haniyeh shkatërroi shanset për një marrëveshje armëpushimi.
Biden tha gjithashtu se kishte zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Edhe pse qeveria e Netanyahut nuk ka marrë asnjë përgjegjësi, ai deklaroi se Izraeli i ka dhënë një goditje dërrmuese përfaqësuesve të Iranit kohët e fundit, duke përfshirë Hamasin dhe Hezbollahun me bazë në Liban, si dhe do t’i përgjigjet me forcë çdo sulmi.
Ndryshe, tensionet e Izraelit me Iranin dhe Hezbollahun kanë ngjallur frikën e një konflikti të zgjeruar në një rajon tashmë në mes të sulmit i cili ka vrarë dhjetëra mijëra dhe ka shkaktuar një krizë humanitare.