Blog Post

Arbëria TV > Bota > BE paralajmëron Hungarinë mbi lehtësimin e vizave për shtetasit rus

BE paralajmëron Hungarinë mbi lehtësimin e vizave për shtetasit rus

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Çështje të Brendshme paralajmëroi të enjten Hungarinë se vendimi i saj për të lehtësuar kufizimet e vizave për shtetasit rus dhe bjellorus përbën një kërcënim të mundshëm të sigurisë dhe se do të merrte masa nëse shqetësimet e saj nuk trajtoheshin.

Muajin e kaluar, Hungaria zgjeroi programin e saj të imigracionit “karta kombëtare” për të përfshirë ndër të tjera dhe rusët dhe bjellorusët.

Mbajtësit të një karte të tillë i lejohet të punojë në Hungari pa iu nënshtruar kontrollit për elementët e sigurisë dhe mund të marrë me vete dhe familjen.

Ky veprim nxiti shqetësim te zyrtarët e BE-së, të cilët thanë se Rusia dhe aleati i saj Bjellorusia mund të shfrytëzojnë këtë skemë për të dërguar diversantë dhe spiunë në zonën e lëvizjes së lirë Shengen të Bashkimit Evropian, ndërsa blloku po përpiqet të izolojë Moskën për luftën në Ukrainë.

Ky incident pasqyron të tjera tensione mes udhëheqësve evropianë dhe qeverisë së kryeministrit hungarez Viktor Orban lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Orban ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën dhe vizitoi presidentin rus Vladimir Putin muajin e kaluar si pjesë e asaj që e cilësoi “mision paqeje”, të ndërmarrë pa mbështetjen e BE-së, disa ditë pasi mori presidencën e radhës të bllokut.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto tha të martën se shtetasit rusë dhe bjellorusë duhet të pajisen me vizë për të hyrë në Hungari dhe për rrjedhojë edhe në zonën Shengen, raporton VOA.

Ai tha se lejet e qëndrimit për shtetasit rusë dhe bjellorusë do të duhet të autorizohen nga autoritetet përkatëse.