Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > MPJD: Po mbledhim informacione për incidentin e Osmanit

MPJD: Po mbledhim informacione për incidentin e Osmanit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas incidentit diplomatik me të cilin u përball presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke thënë se me shqetësim kanë mësuar për ngjarjen dhe se kanë nisur të mbledhin informacione për rastin.

MPJD-ja tha në reagim se ka kërkuar edhe sqarime zyrtare nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me shqetësim ka mësuar rreth incidentit të shkaktuar në Aeroportin e Shkupit në raport me trajtimin jodinjitoz të Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. MPJD do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtejshme, për të sqaruar këtë situatë dhe për t’u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen në raport me krerët e shtetit tonë”, thuhet në njoftimin e plotë të publikuar në Facebook.

Incidenti është konfirmuar nga këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia. Sipas saj, kur Osmani s’ka pranuar ta dorëzojë telefonin, ka pasur tentim të shtyrjes fizike ndaj saj nga ana e sigurimit dhe se është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ta hapur rrugën.

“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”, ka deklaruar Vitia.

Powered by WordPress