Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Të ndryshme > Vlerat e murrizit për shëndetin e zemrës dhe gjithë organizmit

Vlerat e murrizit për shëndetin e zemrës dhe gjithë organizmit

Murrizi është një nga ato bimët me përdorime të shumëfishta, që të gjithë duhet ta kenë në shtëpi. Shqipëria, për fat të mirë është një burim i pasur i kësaj bime magjike e të egër. Gjethet e freskëta, lulet dhe frutat e bimës së murrizit janë të konsumueshme, ndërkohë që vlerat shëndetësore të tyre e bëjnë murrizin të nevojshëm për të gjithë.

Në veri të Shqipërisë dhe në zonat malore të jugut të vendit, murrizi ka gjetur përdorim të gjerë në mjekësinë popullore, veçanërisht në kurat kundër sëmundjeve të zemrës.

Prej shekujsh murrizi është përdorur për të ekuilibruar tensionin e lartë dhe të ulët të gjakut.

Bima mban emrin botanik Crataegus që, sipas gojëdhënave greke, nënkupton forcë. Disa varietete të murrizit përmbajnë shumë fara, ndërkohë që varieteti Crataegus zakonisht ka dy fara. Shqipëria i ka të dy varietetet e kësaj bime që i përket familjes botanike të trëndafilit.

Bimët kanë gjethe në formë rrethore me pesë nënpetale të gjelbra që struken pas pesë petaleve me ngjyrë të bardhë që shpalosen në qendër të bimës. Larmia e këtyre luleve madhështore anëembanë Shqipërisë tregon ardhjen e pranverës ndërkohë që degët e mprehta janë përdorur në shumë rituale tradicionale të vendit tonë.

Në zonat e Pukës, Kukësit dhe bjeshkëve në veri të Shqipërisë, murrizi ose më saktë, gjethet, petalet, lulet dhe frutat janë përdorur kryesisht për të përmirësuar qarkullimin e gjakut. Gjethet dhe lulet e murrizit çelin në Prill dhe Maj.

Murrizi si çdo bimë tjetër lulëzon edhe njëherë në fund të Korrikut, që përbën një mundësi të artë për të mbledhur gjethet (në sasi të vogla) plot vlera. Frutat e murrizit piqen në Tetor-Nëntor

Përbërësit kryesorë

Tek murrizi gjenden flavonoidë (1-2%, përfshirë rutinën dhe kuercetinën); tanina (polifenolë 1-3%) saponinë; coumarinë; cianogenik, glikocide etj.

Shërben si: Tonik për zemrën, ul tensionin e gjakut, zgjeron enët e gjakut dhe ka efekt qetësues.

Përdorimet farmaceutike

Bima e murrizit është përdorur gjithmonë për kura të shumta mjekësore. Vetitë e saj janë të panumërta dhe mund ta përfshini shumë thjesht në dietën tuaj. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, tradicionalisht kjo bimë është përdorur për të trajtuar artereosklerozën, hipertensionin dhe sëmundjet kardiake.

Të gjitha këto sëmundje kanë rrezik të lartë për shëndetin në shumë vende, veçanërisht në Shqipëri. Mjekësia dhe shkenca e kanë pranuar aftësinë e murrizit për të trajtuar dhe parandaluar një sërë sëmundjesh dhe simptomash kardiovaskulare. Flavonoidët që gjenden tek murrizi zgjerojnë enët e gjakut dhe forcojnë kapilarët, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin e gjakut.

Murrizi përmirëson ushqyerjen, energjinë dhe çlirimin e saj nga muskujt e zemrës, gjë që e bën bimën ideale për njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut dhe aritmitë kardiake. Gjethet dhe lulet e murrizit mund të përdoren në sallata gjatë stinës së verës. Gjithmonë zgjidhni gjethet e freskëta e të padëmtuara dhe përdorini ato me karrotën, xhenxhefilin dhe panxharin.

Gjethet e thara të murrizit përdoren edhe si çaj kundër tensionit të lartë të gjakut. Ngrënia e frutave të murrizit stimulon performancën e një antioksidanti të fuqishëm të njohur si superoxide dismutase. Kjo enzimë është e jashtëzakonshme në shkatërrimin e molekulave të radikaleve të lira.

Frutat mund t’i thani, prisni dhe t’i hani në mëngjes me drithërat tuaja të preferuara. Nëse i dëshironi të freskëta mund t’i ruani si pekmez, mund t’i bëni reçel ose marmalatë. Në përgjithësi, murrizi përdoret lirisht, por ka të dhëna që bima mund të ndërveprojë negativisht me medikamentet kundër tensionit të ulët të gjakut.

Powered by WordPress