Ballkani ka fituar mbrëmë ndaj Hamrun dhe tashmë ndodhet në raundin e tretë kualifikues të Conference League. Ekipi kosovar në raundin vijues do përballet me ekipin nga Irlanda e Veriut, Larne – për të synuar “Play Offin”.
Mbrojtësi i ri i Ballkanit, Geralb Smajli shprehet mjaft i lumtur për kalimin e raundit të dytë – teksa thotë se ekipi po konsolidohet çdo ditë e më shumë.
“Po, ishte një paqaqitje e mirë sidomos këto dy ndeshjet kundër Hamrun, duke parë edhe se ekipi është pothuajse me lojtarë të rinjë dhe duke u konsoliduar çdo ditë e më shumë”, tha fillimisht Geralb Smajli për ‘GazetaBlic Sport’.
Më pas, futbollisti thotë se shpreson që me Ballkanin të arrijnë sërish suksesin e madh, pra duke u kualifikuar në grupet e Conference League.
“Ballkani ka treguar dhe po e tregon çdo vit që është një ekip shumë i suksesshëm, duke parë dhe ndeshjet që po zhvillojmë në Europë. Kemi disa duele të vështira përpara, shpresojë që të përsërisim sukseset që po bëjmë çdo vit”, vazhdoi Smajli.
Në fund, 22 vjeçari tha se nuk e mendoi shumë ofertën e Ballkanit, pasi e njeh historinë e ekipit. Ai potencon se në ekipin suharekas e pritën shumë mirë të gjithë.
“Që në momentin e parë që mora ofertën nga Ballkani, nuk u mendova shumë, duke parë historinë e ekipit, sidomos këto vitet e fundit që ka bërë krenar çdo shqiptar. Më kanë pritur shumë mirë të gjithë dhe them që serioziteti i stafit dhe presidentit po bën që ky ekip të bëjë historinë çdo vit”, përfundoi mbrojtësi.
Ballkani do të luajë ndaj Larne me 8 gusht në ndeshjen e parë si vendas, e më pas me 15 gusht do zhvillohet ndeshja e kthimit.