Forcat e Shteteve të Bashkuara kanë kryer sulm “mbrojtës” ajror ndaj luftëtarëve që po tentonin të lëshonin një dron, që u konsiderua si kërcënim për trupat amerikane dhe aleate, tha një zyrtar amerikan.
Sulmi – që sipas burimeve irakiane la të vrarë të paktën katër persona – ishte sulmi i parë i kryer nga forcat amerikane në Irak që nga shkurti, kur ushtria amerikane tha se vrau një komandant proiranian i cili ishte përfshirë në sulmet ndaj trupave amerikane.
“Sonte, forcat amerikane në Irak kryen sulm mbrojtës ajror” në provincën e Babilonisë “duke shënjestruar luftëtarët që po tentonin të lëshonin një dron”, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes.
Zyrtari shtoi se Komanda Qendrore vlerësoi se droni “paraqiste kërcënim për SHBA-në dhe forcat e koalicionit”.
“Ne ruajmë të drejtën tonë për vetëmbrojtje dhe nuk do të hezitojmë që të ndërmarrim veprimet e duhura”, tha zyrtari.
Hashed al-Shaabi – një aleancë e ish-grupeve paramilitare proiraniane që janë integruar në forcat e sigurisë së Iranit – tha se sulmi me raketa goditi dy patrulla të Hashed në provincën e Babilonisë.
Kataeb Hezbollah, një grup i fuqishëm proiranian dhe një pjesë e Hashedit, tha se sulmet ajrore amerikane shënjestruan “një grup të ekspertëve të dronëve të cilët po kryenin testime të reja” për të përmirësuar dronët vëzhgues.
Kataeb Hezbollah është po ashtu pjesë e Rezistencës Islamike të Irakut, një aleancë e grupeve proiraniane që kanë marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj trupave amerikane të kryera së fundi, për shkak të luftës në Gazë. Por, këto sulme u pezulluan në janar.
SHBA-ja e konsideron Kataeb Hezbollahun grup terrorist dhe vazhdimisht e ka shënjestruar atë.
Javën e kaluar, janë kryer dy sulme që kanë shënjestruar trupat amerikane dhe të forcave aleate në Irak. Disa raketa u hodhën drejt bazës Ain al-Assad, ku gjenden trupat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, që luftojnë grupin xhihadist, Shteti Islamik.
Më 16 korrik, dy dronë u lëshuan drejt bazës së njëjtë. Një prej dronëve “me sukses u shkatërrua”, ndërkaq një tjetër goditi bazën, duke shkaktuar “dëm minimal”, sipas Pentagonit.
Para këtyre sulmeve, trupat amerikane në Siri dhe Irak ishin në shënjestër të sulmeve që nga muaji prill. Por, sulmet u intensifikuan pas nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasi – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, duke u regjistruar më shumë se 175 sulme. /REL/