Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u është drejtuar me një letër liderëve të partive në vend, të cilët i ka ftuar për takim konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në vend.
E gjatë kësaj jave pritet të mbahet takimi ndërmjet presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua anëtarja e Nismës Socialdemokratike, Xhevahire Izmaku.
Ajo tha se Presidentja Osmani e ka obligim kushtetues që t’i thërras partitë politike në një takim për të caktuar datën e rregullt të zgjedhjeve parlamentare.
“Presidentja e ka obligim kushtetues t’i thërras partitë politike për të caktuar datën e rregullt të zgjedhjeve parlamentare. Ne nuk e dimë që ka një zhvillim të ri, së paku nuk është shfaqur në publik një lajm i tillë, që do ta detyronte presidenten të kërkojë koncensus për zgjedhje të jashtëzakonshme që mund të mbahen brenda 45 dite”, deklaroi ajo.
Izmaku tha se duke parë që ka ngecje në shumë drejtime, sipas saj partitë opozitare kanë kërkuar vazhdimisht zgjedhje të reja, dhe se uron që dita e takimit të sjellë datën e zgjedhjeve parlamentare.
“Partitë opozitare kanë kërkuar në vazhdimësi zgjedhje të reja për t’i dhënë vendit një shans më të mirë duke pa që ka ngecje në shumë drejtime. Unë pres që dita e takimit do të na sjellë datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, deklaroi anëtarja nga Nisma Socialdemokratike Xhevahire Izmaku.