Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Shëndetësi > Si të ruani djathin tëfreskët në frigorifer – Metodat praktike që duhet të dini

Si të ruani djathin tëfreskët në frigorifer – Metodat praktike që duhet të dini

A mund të prishet djathi i bardhë?

Djathi është një nga produktet më të konsumuara nga familjet shqiptare.

Si përbërës i recetave të ndryshme apo dhe si shoqërues i vakteve, djathi është zgjedhja ideale.

Por një problem që hasim shpesh është se si ta ruajmë atë?

AgroWeb.org ju sjell tre metodat më të thjeshta për ta ruajtur djathin në mënyrën e duhur.

Pavarësisht metodës, djathi gjithmonë duhet ruajtur në frigorifer, kështu parandalohet prishja e tij.

Këto metoda janë për djathin që blihet në bulmetore, jo për djathin e paketuar në kuti plastike që mund të blihen nëpër markete.

Djathi i paketuar pasi hapet, zakonisht fillon të prishet një javë para datës së skadencës të caktuar nga prodhuesi.

Ndërsa djathi i cili blihet i hapur mund të ruhet nga 1 deri në 6 muaj në varësi të metodës së ruajtjes.

Shenjat që djathi juaj ka filluar të prishet

Një nga problemet kryesore kur djathi vendoset në frigorifer, është se thahet.

Kështu ai humbet lëngjet natyrale dhe fortësohet dhe ndryshon shije.

Nëse ndodh diçka e tillë AgroWeb.org ju këshillon që të mos e konsumoni.

Si të gjithë produktet e bulmetit, dhe djathi myket.

Zakonisht mendohet se nëse hiqet pjesa e mykur e djathit, pjesa e pa prekur mund të konsumohet por është e mira që të mos e bëni.

Mënyra më e thjeshtë për të dalluar nëse djathi është prishur është aroma që ai lëshon.

Metodat si të ruani djathin në frigorifer

Me Shëllirë

Nëse e blini djathin në bulmetore, apo të hapur, zakonisht ai shitet i paketuar me letër.

Letra është e përshtatshme për transportimin e tij, por jo për ruajtjen në një kohë të gjatë.

Pasi ajo nuk arrin ta ruajë djathin nga tharja dhe nga ndryshimi i ngjyrës.

Një nga metodat më të njohura nga amvisat shqiptare është zhytja në shëllirë.

Shëllirën mund ta merrni nëpër bulmetore ose dhe ta përgatisni vet në shtëpi shumë thjeshtë.

Mjafton të vendosni në zjarr një tenxhere me një litër ujë dhe më pas të hidhni 3-4 lugë gjelle me kripë.

Duhet ta përzieni derisa kokrrizat e kripës të jenë tretur, dhe ta lini ujin të zjejë.

Pasi të jetë ftohur plotësisht, mund ta kaloni në enët ku do të vendosni djathin.

AgroWeb.org ju këshillon që djathi duhet të jetë totalisht i mbuluar nga shëllira.

Nëse ruhet kështu djathi mund të ruhet deri në gjashtë muaj në frigorifer.

Me Qumësht

Metoda tjetër është ruajtja në qumësht. Zakonisht kjo metodë përdoret për djathin e dhisë.

Duke qenë se ky lloj djathi ka një strukturë më të fortë, qumështi arrin ta zbusë pak.

Gjithashtu kjo metodë është ideale nëse djathi juaj është shumë i kripur.

Qumështi arrin të neutralizojë kripësinë dhe të ruajë porozitetin e djathit.

Me këtë metodë djathi ruhet për më pak kohë.

Me Kos

Metoda e fundit është kosi, më e mira është të ruhet me kos të përgatitur vet, por dhe ai i bleri mund të përdoret.

Mjafton që të veproni njësoj si me qumështin, dhe më pas ta ruani në një enë me kapak dhe ta vendosni në frigorifer.

Djathi i ruajtur kështu mund të zgjasë deri në një muaj./AgroWeb.org

Powered by WordPress