Gjatë kësaj jave pritet të mbahet takimi ndërmjet presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Takimi pritet të mbahet më 31 korrik, në orën 14:00, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa subjektet politike tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Partitë politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidentja për t`u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se janë të gatshëm për zgjedhje kurdo që ato shpallen, ndërsa lidhur me datën e mundshme, ata do ta japin propozimin në takimin me presidenten, pas vlerësimit të të gjitha rrethanave.
“Është e rëndësishme që për herë të parë në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë një qeveri dhe legjislaturë po e mbyllë një mandat të plotë. Kjo falë mbështetjes plebishitare të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara si dhe qeverisjes së mirë dhe legjislativit të suksesshëm. Sa i përket datës së zgjedhjeve, Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk lënë shumë opcione dhe ato opcione ligjore që ekzistojnë e që janë katër data nuk janë larg njëra tjetrës”, tha Alim Rama, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.
E sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se do të marrin pjesë në takim por sipas saj, kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.
“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, tha Çitaku.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lënë të kuptohet se do të marrë pjesë në takim, por zëdhënësi i partisë ka theksuar se vendimi do të merret të hënën nga strukturat e partisë.
“Po kemi pranuar letren nga Presidentja. Në bazë të kesaj letre presidentja konsultimet do t’i zhvilloje për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit të rregullt. Nuk shoh ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve por sidoqoftë vendimet për këtë çështje do t’i marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë, ka thënë Kushtrim Xhemajli, zedhenës i AAK-së.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.
“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes drejtuar partive politike.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. Partia e Fatmir Limajt nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor.
Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet në koalicion me Partinë “Guxo” e themeluar nga Vjosa Osmani, e cila tash është Presidente e Republikës.
Para tre muajve, kryeministri Albin Kurti kishte ftuar partitë politike për një takim, ku ishte hapur edhe tema e zgjedhjeve. Aty kishte shkuar vetëm lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili kishte kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve gjatë muajit qershor. LDK dhe AAK nuk ishin pajtuar të shkonin në zgjedhje, duke shpërndarë Parlamentit, por kërkuan dorëheqjen e Qeverisë.