Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u zotua se do të “rinisë” bashkëpunimin me Kinën, pasi nënshkroi një plan veprimi 3-vjeçar gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në Pekin që kur ka marrë postin e kryeministres.
Meloni, që udhëheq Qeverinë e krahut të djathtë që nga viti 2022, e bëri këtë njoftim gjatë takimit me kryeministrin kinez, Li Qiang, teksa Roma po synon të përmirësojë raportet tregtare me Pekinin pasi u largua nga Nisma kineze “Brezi dhe Rruga” vitin e kaluar. Kjo nismë, që ka në thelb investimet në infrastrukturë është projekti kryesor i presidentit kinez, Xi Jinping.
Liderja italiane tha se vizita pesëditore “demonstron vullnetin për të nisur një fazë të re, për të rinisur bashkëpunimin tonë dypalësh”. Plani i veprimit, që u nënshkrua gjatë vizitës, synon që të gjenden forma të reja të bashkëpunimit, tha ajo.
Memorandumi për bashkëpunim industrial i nënshkruar nga Italia dhe Kina “përfshin sektorët strategjikë të industrisë, sikurse lëvizshmëria elektrike dhe burimet e ripërtërishme”, tha Meloni.
Meloni, e cila i sheh investimet kineze si mënyrë për të nxitur rritjen ekonomike të Italisë, gjatë vizitës do të takohet edhe me Xinë dhe ligjvënësin më të lartë në Kinë, Zhao Leji, i cili është i treti në hierarikën e udhëheqjes.
Më 2019, Italia u bë shteti i vetëm i Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) që iu bashkua nismës “Brezi dhe Rruga”, por u tërhoq nga kjo nismë vitin e kaluar.
Kina është partnerja më e madhe tregtare e Romës – jashtë shteteve të Bashkimit Evropian – pas Shteteve të Bashkuara./ Radio Evropa e Lirë