Sporti e në veçanti futbolli, janë dy gjëra që shqiptarët gjithmonë janë rritur me to, njësoj sikurse që tash po e trashëgojnë fëmijët, qofshin edhe ata që jetojnë në mërgim.
Dihet se në shtetin e Zvicrës ka shumë shqiptarë që luajnë në ligat më të mira të futbollit të këtij shteti, por edhe shqiptarë që janë lindur në Zvicër dhe paraqiten në top kampionatet evropiane.
Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami e shumë të tjerë janë bërë super-yje nga ky shtet, por jo vetëm këta, ka edhe plot të tjerë me prejardhje nga Kosova që po luajnë në turnetë më prestigjioz në Zvicër.
Rast i freskët është edhe ai i Lenart Dërmakut i cili po paraqitet në turnetë më të mëdhenj në Zvicër si ai i quajtur ”Mundialito” që tubon çdo vit rreth vetes të gjithë talentët e futbollit të kombeve që jetojnë në Zvicër.
Telenews.al ka realizuar një intervistë me trajnerin e Lenartit, Enver Shaqirin, i cili ka treguar detaje të ndryshme nga puna me këtë djalosh në këtë shtet e deri tek ato ekskluzive se si FFK-ja dhe FSHF-ja nuk po interesohen fare për turne të tillë, ku luajnë shqiptarët e rinj e që do të mund të ishin potencial i madh për Kombëtaren tonë.
”Ne sivjet me Lenartin kemi qenë pjesëmarrës tek turneu ”Mundialito”. Në këtë turne marrin pjesë të gjithë kombet që jetojnë në Zvicër. Unë, Enver Shaqiri, dhe partneri im sportiv Bajramali Neziri bëjmë vetëm grumbullimin e talenteve shqiptarë në Zvicër nga 8 deri në 12 vjeç. Unë si koordinator dhe trajner bëj grumbullimin dhe organizimin e ekipeve tona shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës”.
Pse u përzgjodh Lenarti të përfaqësojë shqiptarët.
”Së pari, ne bëjmë një lloj skautimi në lojëra të ndryshme nëpër ekipet zvicerane apo shqiptare dhe bëjmë zgjedhjen e lojtarëve të kategorive të ndryshme siç janë talentët, adoleshentët, juniorët dhe bambini. Nga secila kategori bëjmë grumbullimin e më shumë lojtarëve që pason seleksionimi, dhe aty bëjmë përzgjedhjen e lojtarëve. Lenart Dërmakun përzgjodhëm sepse ka talentin dhe pasionin ndaj futbollit dhe gjithashtu ka kulturën sportive për prezantimin e dy ekipeve shqiptare, prandaj bëjmë përzgjedhjen se cilin ekip të prezantojë”, thotë Shaqiri.
Sa ka treguar rezultate Lenarti në këtë turne dhe si e shihni të ardhmen e tij.
”Lenarti, me vullnetin dhe dëshirën e madhe të tij për reprezentacionin, ishte shumë agil. Me teknikën e tij dhe lojën taktike, ishte kyç për rezultatet tona të suksesshme në turne. Ishte një puzzle i veçantë në ekip që përmbushte pritjet tona”.
Cilat janë komentet e trajnerëve të tjerë për talentin shqiptar dhe a ka pasur ndonjë interesim konkret nga dikush në Zvicër apo jashtë saj për Lenartin?
”Meqë kishim dhe kemi talent të mjaftueshëm në radhët tona, në të cilën përbën edhe Lenarti, ka interes të mjaftuar të ekipeve dominante të super ligës zvicerane. Siç mund të shihen, më shumë se disa shembuj tanimë janë në ekipe të FC Zürich, St. Gallen, Grasshopper, Luzern, Basel, Winterthur etj. Disa kishin edhe shanset në Barcelonën e madhe të Spanjës. Shembull kemi Bleon Xhemailin, i cili ishte në radhët U17 të kombëtares zvicerane. Kështu mendojmë dhe shpresojmë edhe për lojtarët si Lenarti, mirëpo për Shqipërinë apo Kosovën”, shton ai.
Duke marrë parasysh përkushtimin tuaj dhe punën e palodhshme me talentet e reja shqiptare në Zvicër, a e keni menduar që të angazhoheni me ndonjë pozicion trajneri edhe në FFK ose FSHF?
”Meqë ne mundohemi me angazhimin vullnetar për pasurinë tonë të kombit, që lojtarëve t’u japim kurajën dhe ndjenjat për Kombëtaren shqiptare apo reprezentacionin e Kosovës, që këta talente të kenë mundësinë të prezantojnë pasurinë dhe kulturën shqiptare sportive, natyrisht mendojmë që të bashkëpunojmë me federatat shqiptare në inkuadrimin e këtyre talenteve apo mos humbjen nga fokusi, që të kemi një shans më të mirë për talentet tona shqiptare krahas federatave të tjera”.
Në pyetjen se a ka pasur kontakte nga FFK-ja apo FSHF-ja për të pasur në radhët e veta Lenartin dhe talentet tjerë shqiptarë në Zvicër në të ardhmen për Kombëtare, ai befason me përgjigjjen.
”Deri tani, ka pasur shumë pak kontakte nga FSHF-ja, por jo nga FFK-ja. Meqë propaganda gojore deri tani është e madhe, edhe pse kam tentuar më parë nga ana ime në FFK, nuk ka ardhur asnjëherë një sinjal. Do të ishte kënaqësi që edhe shqiptarët nga diaspora të japin kontributin e tyre për kulturën sportive”.
Krejt në fund, Shaqiri ka një faleminderim të madh për interesimin e Telenews.al rreth punës së tij dhe për talentët në Zvicër. Ai e konsideron këtë një hap të madh për mos humbjen e talenteve shqiptarë nga fokusi i prezantimit të kombëtares dhe reprezentacionit. /Telenews.al/