Rivalët e mundshëm në zgjedhjet presidenciale amerikane, Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-Presidenti Donald Trump paraqitën pikëpamje të ndryshme për luftën në Gazë ndërsa u takuan me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, kushdo që të dalë fitues në zgjedhjet presidenciale në nëntor mund të sjellë një ndryshim në marrëdhëniet SHBA-Izrael.
Në mbi 290 ditë që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, ushtria izraelite ka vrarë mbi 39 mijë persona, shumica civilë, sipas të dhënave të autoriteteve të shëndetësisë në Gazë.
Pjesa më e madhe e popullsisë së rajonit prej 2.3 milionë banorësh janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
“Nuk mund t’i kthejmë sytë nga ana tjetër përballë këtyre tragjedive. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos reagojmë ndaj vuajtjeve dhe unë nuk do hesht”, tha Nënpresidentja Harris.
Pas takimit të enjten me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Nënpresidentja amerikane Kamala Harris bëri një thirrje të fuqishme për t’i dhënë fund luftës.
Ajo përsëriti mbështetjen për të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, pas sulmit të Hamasit në 7 tetor që vrau rreth 1200 izraelitë.
Por, Nënpresidentja Harris u tregua shumë më e ashpër në kritikat ndaj mënyrës se si Izraeli bën operacionet luftarake, krahasuar edhe me Presidentin Joe Biden, i cili gjithashtu u takua të enjten me zotin Netanyahu.
“Mirësevini sërish, zoti Kryeministër. Kemi shumë për të folur”, tha Presidenti Biden.
Të premten, vëmendja u kthye drejt takimit të Kryeministrit Netanyahu me ish-Presidentin Donald Trump, në rezidencën e tij në Florida. Marrëdhëniet mes tyre ishin ftohur pasi udhëheqësi izraelit përgëzoi Presidentin Biden për fitoren në zgjedhjet e vitit 2020, si dhe në lidhje me luftën në Gazë. Por, u duk se marrëdhënia është riparuar.
“Nëse fitojmë, do të jetë shumë e thjeshtë. Do të zgjidhet e gjitha shumë shpejt. Nëse nuk fitojmë, do të përfundojmë me luftëra madhore në Lindjen e Mesme dhe ndoshta një luftë të tretë botërore”, tha ish-Presidenti Trump.
Ai vuri në dukje politikat pro Izraelit gjatë mandatit të tij të parë, si ndërmjetësimi i marrëveshjes që normalizoi marrëdhëniet diplomatike të Izraelit me disa nga vendet fqinje arabe, si dhe njohjen e sovranitetit të Izraelit mbi Lartësitë e Golanit.
Me dëshirën për të rifituar votuesit e zemëruar me mbështetjen e vendosur të Presidentit Biden për Izraelin, Nënpresidentja Harris mund të përpiqet për një përqasje më të balancuar.
Por, kushdo që do të jetë fituesi në zgjedhje, do të sjellë një ripozicionim në marrëdhëniet SHBA-Izrael, me apo pa zotin Netanyahu në pushtet.
“Kushdo që do të jetë kryeministër do t’i duhet të përballet me një përqasje më kritike nga demokratët nën drejtimin e Kamala Harrisit, si dhe paparashikueshmëri nën drejtimin e Presidentit Trump”, thotë Aaron David Miller, nga Fondacioni Carnegie për Paqen Ndërkombëtare.
Anketimet tregojnë se është rritur numri i amerikanëve, në veçanti në radhët e demokratëve, që janë kundër përgjigjes ushtarake të Izraelit në Gazë./VOA/