Xhudistja jonë, Distria Krasniqi do ta nis nesër (e diel) garën në Lojërat Olimpike Paris 2024.
Krasniqi këtë herë merr pjesë në Olimpiadë si kampione olimpike, dhe garat nesër i nis me fillim nga ora 10:00.
Para se të nis garat, në një intervistë të shkurtër për Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), Distria tha se është ëndrra e çdo sportisti të merr pjesë në Lojërat Olimpike.
“Është një ndjenjë e veçantë, është ëndrra e çdo sportisti me marr pjesë në Lojërat Olimpike, sidomos pas triumfit në Tokio po shkojmë si më të veçuara dhe ndoshta edhe të tjerët presin ma shumë prej neve”.
“Por jam mirë, jam e përgatitur mirë dhe jam shumë e lumtur që prapë po marr pjesë në Lojërat Olimpike”, tha Krasniqi.
Më tej, kampionia jonë olimpike tha se synimi është të jetë në podium, por që ngjyra e medaljes nuk do të ketë shumë rëndësi për të.
“Synimi është me pas një paraqitje të mirë edhe me qenë në podium, ngjyra e medaljes nuk ka rëndësi por shpresoj që të kthehemi me medalje”, tha Krasniqi.