Në Shqipëri me shume se 64 mije persona jetojne te vetmuar për shkak të emigracionit të femijeve ose braktisjes prej tyre. Në disa prej bashkive te vendit jane ngritur 6 qendra rezidenciale publike si dhe disa qendra private për trajtimin e personave te vetmuar, por kerkesat jane më të mëdha.
Mes 65 të moshuarve, që strehohen në Shtëpinë e të Moshuarve në qytetin e Shkodrës, është edhe Hedije Çaushi. E vetmuar dhe pa mbështetje, në moshën 82 vjeçare ajo u detyrua t’i drejtohej Shërbimit Social Shtetëror për t’u vendosur në një nga qendrat për të moshuarit.
“Mbeta krejt e vetme, sepse nuk kam fëmijë. Kisha dy motrat afër, por ato ikën jashtë shtetit, në emigracion dhe unë mbeta krejt e vetme. Vjen një moshë që nuk mund ta përballosh të jetosh e vetme”.
Lekë Preçi ka ardhur në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër nga Bashkia e Kurbinit. Jeta e tij është gjithë vuajtje dhe mundim. Por, në pleqëri ai mbeti i vetmuar dhe e e kishte të pamundur të përballonte i vetëm vështirësitë e jetës pasi 5 fëmijët e tij zgjodhën emigracionin për një jetë më të mirë dhe u shpërndanë, siç thotë ai, në 5 shtete të botës.
“Shkuan në Amerikë, Itali, Gjermani, Zvicër dhe Norvegji. Janë martuar, kanë rrugët e veta. Vijnë ndonjëherë, rrallë. Nuk vijnë për mua asnjëherë se unë kam kushte të shkëlqyera këtu në Shtëpinë e të Moshuarve. Unë kam bërë zgjedhjen time dhe ata të tyren. Por jemi ndarë së gjalli. Ka humbur jeta familjare. Dhe duke ndejtë të ndarë humbet edhe respekti. Lindin fëmijët e tyre dhe nuk kanë asnjë ndjenjë, as nuk vijnë ndonjë herë këtu. Kjo është e tmerrshme”.
Shtëpia e të Moshuarve në qytetin e Shkodrës është më e madhja në Shqipëri. Në një ndërtesë të rikonstruktuar, të moshuarit kanë dhomat e tyre, shërbimin mjekësor, atë të higjenës, ushqimit dhe argëtimit. Pavarësisht problemeve me të cilat të moshuarit janë përballur në jetët e tyre, Hedije Çaushi thotë se në Shtëpinë e të Moshuarve ndjehen si në familje, ku të gjithë njohin njëri-tjetrin.
“I kemi të gjitha kushtet, dhomën, celularët, televizor, mjedisin e pastër, shoqëri. Kemi variacione mjaft. Dalim jashtë kur kemi nevojë, na argëtojnë”.
Në Shqipëri janë ngritur 6 qendra publike për të moshuarit; në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër dhe Poliçan. Dy prej tyre trajtohen nga Shërbimi Social Shtetëror dhe 4 të tjerat nga bashkitë. Por ka edhe një numër qendrash private për trajtimin e të moshuarve.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në Shqipëri më shumë se 64 mijë persona të moshës mbi 60 vjeç jetojnë të vetmuar, ndërkohë që në 6 qendrat publike për të moshuarit trajtohen vetëm 310 të moshuar, numër ky i vogël përballë kërkesës në rritje të të moshuarve për tu trajtuar në këto qendra.
Shtëpia e të Moshuarve në Shkodër është më e madhja në Shqipëri. Sipas drejtorit Fatjon Hoxha këtu trajtohen 65 të moshuar që vijnë nga zona të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht nga zona veriore, ku edhe kushtet e jetesës janë më të vështira. Synimi i qendrës, shton ai, është tu krijojë të moshuarve kushte sa më të mira për t’ua lehtësuar dhimbjet e jetës dhe sëmundjeve kronike, pasi vetmia dhe braktisja ka lënë gjurmë në jetën e tyre.
“Arsyet janë nga më të ndryshmet, por kryesorja është emigracioni. Fëmijët janë larguar, kanë marrë rrugët e emigrimit, kanë krijuar një jetë të re në emigracion dhe e kanë të vështirë të kthehen. Disa kanë provu t’i marrin edhe prindërit me vete, por shprehen se është e vështirë të përshtaten atje. Edhe shumë prej të moshuarve shprehen vetë se nuk mund të rrijnë atje, jashtë Shqipërisë, se nuk e përballojnë nga ana psikologjike, pasi më mirë ndihen këtu, me njerëzit e tyre, me njëri-tjetrin. Këtu, në Shtëpinë e të Moshuarve i kanë të gjitha shërbimet dhe nuk ju mungon asgjë”.
Përballë rritjes së numrit të personave të vetmuar apo të braktisur është shtuar edhe kërkesa për zgjerimin e qendrave të kujdesit për ta, por edhe rritjes së nivelit të shërbimeve në këto qendra.
Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2023 numri i të moshuarve në qendrat rezidenciale ku trajtohen të moshuarit varion nga 40-60, por struktura e këtyre institucioneve nuk siguron numrin e nevojshëm të personelit në përputhje me nevojat e tyre, pasi në shumicën e këtyre qendrave nuk plotësohet standardi i raportit 1 kujdestar për 5 të moshuar./VOA