Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Me fjalimin para popullit amerikan, Biden shpreson t’i hapë rrugë vendit të tij në histori

Me fjalimin para popullit amerikan, Biden shpreson t’i hapë rrugë vendit të tij në histori

Në një moment që hyn në historinë e Shteteve të Bashkuara, Presidenti Joe Biden doli në një fjalim para vendit dje në mbrëmje për t’u shpjeguar amerikanëve dhe gjithë botës se pse vendosi të mos kandidojë për t’u rizgjedhur në garën presidenciale të vitit 2024. Ishte hera e parë që ai fliste publikisht për vendimin e befasishëm që e njoftoi të dielën dhe që e ka transformuar tashmë fushatën zgjedhore. Presidenti foli nga Zyra Ovale ku mbahen zakonisht fjalimet më të rëndësishme.

Hera e fundit kur një president amerikan u tërhoq nga gara për një mandat të dytë ishte në vitin 1968, kur Lyndon Johnson e mori këtë vendim për shkak të Luftës në Vietnam. 56 vjet më pas, duke e kuptuar natyrën historike të veprimit të tij, Presidenti Biden foli me një ton solemn dhe u përpoq të çimentonte trashëgiminë e tij. Dhe duke theksuar se vendi ndodhet në një pikë kritike para zgjedhjeve të nëntorit, ai bëri thirrje për mbrojtjen e demokracisë. Presidenti Biden foli për pesë dekadat e tij në poste publike, arritjet e tij në politikë dhe për nevojën për një udhëheqje të re energjike për t’u përballur me sfidat e së nesërmes.

“Asgjë – asgjë – nuk është më e rëndësishme, përfshirë ambicien personale, sesa mbrojtja e demokracisë sonë. Për këtë arsye unë vendosa se mënyra më e mirë për të ecur përpara është t’ia kaloj stafetën një brezi të ri. Është mënyra më e mirë për të bashkuar vendin”, tha Presidenti Biden.

Ai e ka bërë të qartë se çfarë nënkupton me kalim stafete, duke mbështetur Nënpresidenten Kamala Harris si kandidate të Partisë Demokrate. Në fjalim zoti Biden e vlerësoi atë si “me përvojë”, “të fortë” dhe “të aftë”, por shtoi, “zgjedhja varet nga ju”.

Presidenti nuk e përmendi me emër kandidatin republikan Donald Trump. Por analistët thonë se paralajmërimet e tij për rrezikun ndaj demokracisë, aludonin për zotin Trump

“Ai foli për polarizim, foli për dhunë politike. Të gjitha këto i referohen Donald Trump-it dhe presidencës së tij. Ai foli për kërcënimet me të cilat u përball vendi kur mori detyrën për herë të parë, në janar 2021. Kështuqë është e qartë që po fliste për Donald Trump-in. Por nuk ishte vendi që ai të fliste për Donald Trump-in, apo të mbante një fjalim fushate”, thotë Jennifer Mercieca, profesore e Universitetit A&M të Teksasit.

Presidenti tha se në pjesën e mbetur të mandatit ai do të përqendrohet tek sfidat e brendshme si të drejtat civile dhe atë të votuesve, reformat për armëmbajtjen, përpjekjet për t’i dhënë fund kancerit dhe reforma e Gjykatës së Lartë.

Ai përmendi gjithashtu një mori sfidash me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara jashtë vendit, si lufta në Gazë dhe Ukrainë dhe një Kinë më agresive.

Analistët thonë se këto vatra tensioni global, janë pjesë e shqetësimeve të votuesve.

“Ky është një shqetësim real që unë mendoj se kanë njerëzit: sa efektiv mund të jetë një President që është në fund të pushtetit, me krizat e politikës së jashtme?”, thotë Prof. Thomas Schwartz i Universitetit Vanderbilt.

Por cilatdo qofshin pyetjet për muajt e fundit të presidencës së tij, zoti Biden do të mbetet protagonist i skenës më të madhe të Amerikës për aktin final të tij. Fjalimi i tij i djeshëm ishte fillimi i lamtumirës së tij.

“Ai është tani si një sportist elitë që do të hyjë në listën e emrave të famshëm kur të lërë fushën, duke dëgjuar në fund brohoritjet e turmave, pas një karriere të jashtëzakonshme 50-vjeçare”, thotë Jim Kessler i Organizatës “Rruga e Tretë”.

Ishte e qartë për Presidentin Biden se bëhej fjalë për një pikë kulmore dramatike në karrierën e tij. Dhe ai i përdori fjalët e fundit për t’u përcjellë direkt amerikanëve një mesazh të vjetër sa Amerika:

“Madhështia e Amerikës është se këtu nuk sundojnë mbretërit dhe diktatorët, por populli. Historia është në dorën tuaj. Pushteti është në dorën tuaj. Ideja e Amerikës është në dorën tuaj”.

Reagimi i ish-Presidentit Donald Trump

Siç ishte e parashikueshme, kandidati republikan Donald Trump e kritikoi ashpër fjalimin e ish-rivalit të tij. Ai u shpreh në rrjetin ‘TruthSocial’ se fjalimi i “Mashtruesit Joe Biden në Zyrën Ovale mezi kuptohej dhe ishte shumë i dobët!”

Në një intervistë të enjten në mëngjes për televizionit Fox News, ai tha se fjalimi ishte i tmerrshëm ndërsa akuzoi demokratët se organizuan një grushti shteti duke e detyruar zotin Biden të dilte nga gara. Ai argumentoi se me fjalimin e tij, zoti Biden la më shumë pikëpyetje sesa përgjigje.

“Ata nuk donin që ai të kandidonte. Ai ishte shumë poshtë në sondazhe dhe ata mendonin se ai do të humbiste,” tha zoti Trump.

Edhe disa analistë vunë në dukje faktin që zoti Biden e anashkaloi realitetin politik që solli në tërheqjen e tij. Paraqitja e tij e dobët në debatin me zotin Trump bëri që ligjvënësit demokratë dhe votuesit e zakonshëm të vinin në pikëpyetje jo vetëm nëse ai ishte në gjendje të mundte Trump në nëntor, por edhe mprehtësinë e tij mendore.

Tani demokratët po bashkohen pas kandidaturës së Nënpresidentes Harris dhe kryefjala e Presidentin Biden ishte bashkimi.

Se si do të hyjë Presidenti Biden në histori nuk do të varet vetëm nga vendimi i tij dhe karriera e tij, por edhe nga rezultati i zgjedhjeve dhe nga zhvillimet e mëtejshme politike në Shtetet e Bashkuara. /VOA

Powered by WordPress