Prishtinë – Edhe në rivendosje, Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj Betim Reçica, Valmira Bllaca, Zymer Avdullahu, Jetmir Alaj, Emir Morina, Blerim Dina, Nuhi Paçarizi, Izedin Bytyqi, dhe Muhamet Gashi, të cilët akuzoheshin për korrupsion lidhur me projektin e rrugës Prizren-Prevallë.
Gjykata ka konstatuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen me aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktakuza ishte ngritur më 23 gusht 2023 ndaj Betim Reçica, Valmira Bllaca, Zymer Abdullahu, Jetmir Alaj, Emir Morina, Blerim Dina, Nuhi Paçarizi, Goran Milenkoviq, Izedin Bytyqi dhe Muhamet Gashi. Më 16 shkurt, Themelorja kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj gjashtë të akuzuarve. Pastaj, Apeli më 25 prill 2024, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë pasi ishte hedhur pjesërisht aktakuza ndaj zyrtarëve për projektin e rrugës Prevallë-Prizren. Për Milenkoviqin në seancën e 17 tetorit 2023 ishte bërë veçimi i procedurës ndaj tij për shkak se nuk ishte i pranishëm në atë seancë, me ç’rast për të ishte lëshuar edhe fletërreshtim ndërkombëtar.
Sidoqoftë, në aktvendimin e Themelores të 28 qershorit 2024, thuhet se janë aprovuar kërkesat për hedhjen poshtë të aktakuzës nga mbrojtësit e të pandehurve.
“HEDHET aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me numër PPS.nr.01/2022, të datës 23.08.2023 dhe PUSHOHET PROCEDURA PENALE ndaj të pandehurve… PËR SHKAK SE: Nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen me aktakuzë,” thuhet në aktvendimin e Themelores që është hartuar dhe nënshkruar nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari.
Sipas këtij aktvendimi, për Reçicën nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se kishte krijuar përgjegjësi penale dhe se nuk ka asnjë provë që ndërlidhet me operatorët ekonomikë për t’iu mundësuar përfitimin financiar. Njësoj gjykata ka vlerësuar edhe për Bllacën, duke konstatuar se nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë se e njëjta kishte nënshkruar-falsifikuar dokumentin në fjalë.
Po ashtu, për Bytyqin sipas aktvendimit, me asnjë provë nuk mund të vërtetohet ndërlidhja e të pandehurit me operatorët ekonomikë që ka pasur për qëllim mundësimin e përfitimit të dobisë pasurore. Për Avdullahun, sipas vlerësimit të gjykatës, PSRK-ja gabimisht kishte vlerësuar faktin se kishte vepruar paautorizim dhe me këtë kishte tejkaluar kompetencat e tij.
Ndërsa, në raport me Alaj dhe Morina, sipas gjykatës, aktakuza ka defekte ligjore për shkak se nuk përcakton se cili ka qenë ai shfrytëzim i detyrës zyrtare apo cila ka qenë ajo detyrë që nuk ishte përmbushur. Gjykata për Dina dhe Pacarizi, sipas vlerësimit të së njëjtës, nuk ka përcaktuar elementet objektive të veprës penale, se të akuzuarit a e kanë tejkaluar apo mospërmbushur detyrën e tyre zyrtare.
Sikurse edhe për ish-zëvendësministrin Muhamet Gashi, gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se ka kryer veprën penale pasi kishte pasur të drejtë të nënshkruante kontratën në vend të ministrit që ndodhej jashtë shtetit dhe që i kishte dhënë autorizim sipas ligjit.
Lidhur me kundërshtimet dhe kërkesat e mbrojtësve, Prokurori Special nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, Dren Paca, pranë kësaj gjykate ka parashtruar përgjigjen lidhur me kundërshtimin e provave dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës të mbrojtësve të pandehurve, në të cilin ka theksuar se janë kryer veprat penale dhe se dyshimi është mirë i bazuar.
Mbrojtësi i të akuzuarit Betim Reçica, avokati Driton Muharremi, kishte paraqitur kërkesë për hedhje poshtë të aktakuzës me arsyetimin se ishte e përpiluar në kundërshtim të nenit 235 të KPP-së dhe se ai ka vlerësuar se për 10 personat e tjerë nuk ka pasur elemente të bashkëkryerjes.
Tutje, avokati Yll Zekaj, mbrojtësi i Valmira Bllacës, kishte paraqitur kërkesë për hedhje poshtë të aktakuzës me arsyetimin se për të mbrojturën e tij nuk janë përmbushur elementet e veprave penale për të cilat po akuzohet.
Po ashtu, mbrojtësi i Zymer Avdullahut, avokati Florim Shefqeti, kishte konstatuar se bazuar në gjendjen faktike dhe juridike nuk ishin përmbushur elementet e veprës penale për të mbrojturin e tij.
Mbrojtësi i Jetmir Alaj, avokati Durim Osmani, kishte konsideruar se aktakuza nuk ka mbështetje, gjegjësisht nuk ka prova që vërtetojnë dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën për të cilën akuzohet.
Edhe avokati Feim Alaj, mbrojtësi i Emir Morinës, kishte konsideruar se provat që gjenden në shkresat e lëndës nuk e bindin një vëzhgues objektiv që një vepër penale ka ndodhur që është kryer nga i mbrojturi i tij.
Ndërsa, avokatja Sarandë Beqiri, mbrojtësja e Izedin Bytyqi, pranë kësaj gjykate me shkrim kishte paraqitur kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës me arsyetimin se i mbrojturi i saj kishte vepruar brenda kompetencave të tij ligjore.
Ndryshe, mbrojtësi i Blerim Dinës, avokati Sylë Hoxha, kishte theksuar se Prokuroria nuk ka qenë e interesuar të zbardhë rastin ndaj të mbrojturit të tij, pasi që sipas tij e gjithë kjo çështje do të kishte përfunduar nëse prokurori do të angazhonte një ekspert të IT-së.
Tutje, avokati Rrahman Kastrati, mbrojtësi i Nuhi Paçarizit, kishte theksuar se aktakuza e ngritur është mbështetur në prova të cilat nuk e provojnë fajësinë e të mbrojturit të tij, mirëpo me të njëjtat prova përkundrazi vërtetohet pafajësia e tij.
Në fund, edhe avokati Murat Paçarda, mbrojtësi i ish-zëvendësministrit Gashit, kishte paraqitur kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesën për hedhjen poshtë të aktakuzës me arsyetimin se provat ishin thellësisht të pambështetura sipas nenit 234 par.1 nën par.1.3 e lidhur me nenin 19 par.1 nën par.1.30 të KPP-së.
Zyrtarët e Ministrisë ngarkoheshin se duke filluar nga 10 maji 2019 deri më 4 shtator 2020 në Prishtinë, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjen buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë ligjore.
Me veprimet e tyre, të pandehurit sipas Prokurorisë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe i shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 12,493,583.97 euro, si dhe dëm material dhe jomaterial operatorëve ekonomikë tjerë të cilët në kushte të barabarta do të mund të aplikonin.