Donald Trump ka paraqitur një ankesë kundër Kamala Harrisit për marrjen e fondeve të fushatës së Joe Bidenit. Ankesa e paraqitur në Komisionin Federal të Zgjedhjeve thotë se bëhet fjalë për shkelje të ligjeve federale të financimit të fushatës.
Fushata e Donald Trumpit paraqiti një ankesë në Komisionin Federal të Zgjedhjeve të martën kundër zëvendëspresidentes, Kamala Harris, duke e akuzuar atë për shkelje të ligjeve federale të financimit të fushatës duke zëvendësuar emrin e Joe Bidenit me emrin e saj për të marrë kontrollin e fondeve të fushatës së tij, raporton theguardian.
Ankesa, e paraqitur nga këshilltari i përgjithshëm i fushatës së Trumpit, David Warrington, pretendon se fushata e Bidenit nuk mund të riemërohet nga “Biden për President” në “Harris për President” pasi Biden u tërhoq nga gara të dielën
“Ky është shumë më tepër sesa mbi kontribut i fshehur prej 91.5 milionë dollarësh, nga një kandidat presidencial te tjetri, pra nga fushata e vjetër e Bidenit në fushatën e re të Kamala Harris. Kjo përpjekje është tallje me ligjet tona të financimit të fushatës”, thuhej në ankesën me tetë faqe.
“Kandidatëve federalë u ndalohet të mbajnë kontributet për zgjedhjet në të cilat ata nuk marrin pjesë”, shtoi ai, “Biden për President në vitin 2024 nuk kishte ndërmend të rimbursonte apo rialokonte siç duhet fondet e zgjedhjeve të përgjithshme që kishte fituar tashmë”.
Strategjia që po ndiqej nga ekipi i Trumpit, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje, përfshinte hapjen e betejave të reja ligjore për të parandaluar Harrisin të ketë qasje në fondet e Bidenit.
Fushata e Harrisit e quajti padinë e FEC një përpjekje ligjore false, duke vënë në dukje se komitetet Biden-Harris kanë qenë gjithmonë komitete të autorizuara për të dyja.
Në një deklaratë, fushata e Harris vuri në dukje se ata kishin mbledhur 100 milionë dollarë donacione në 36 orët që kur Biden u largua nga gara, duke shtuar se “pretendime ligjore të pabaza – si ato që ata kanë bërë prej vitesh për të vjedhur zgjedhjet – do të shërbejnë vetëm për shpërqendrim të votuesve”.