Shkruan: Afrim Kasolli
Ashtu siç pritej, vendimi i Këshillit të Evropës për t’i njohur pasaportat ilegale serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd për t’ua mundësuar serbëve të Kosovës të lëvizin pa viza në Zonën Schengen me to, ka shkaktuar një reagim të madh publik.
Ky akt u quajt si cenim i sovraniteti shtetëror të Kosovës dhe inkurajim i qytetarëve serbë për t’u mos integruar në shtetin e Kosovës. Pra në një farë mënyrë legalizim i realitet paralel të tyre. Që kur ishte diskutuar për herë të parë kjo mundësi, Komisioni Evropian ishte arsyetuar se “ndalesat deri më tani që kanë ekzistuar për këto pasaporta kanë pasur të bëjnë me frikën e migrimit masiv të këtyre banorëve. Mirëpo, me hyrjen në fuqi të liberalizmit të vizave me 1 janar të vitit 2024 për të gjithë qytetarët e Kosovës, nuk ekziston më ajo frikë, prandaj edhe atyre duhet t’ju njihet kjo e drejtë. Dhe sipas vendimit të deritanishëm “bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza”. Pra, për këtë institucion me këtë vendim do të zhbëhej një diskriminim ndaj këtyre qytetarëve, sa i përket lirisë së lëvizjes.
Me këtë rast, Presidentja Vjosa Osmani, gjatë takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se “ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën si dhe atakon përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë”. Ndërkohë, kritik ndaj këtij vendimi u shpreh edhe Kryeministri Kurti. Ai e cilësoi si “të padrejtë dhe të dëmshëm” këtë vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian. Mirëpo, në fund nuk la pa u zhvesh vetën nga përgjegjësia dhe duke e si viktimë sepse sipas tij, “ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë në vendimet e Brukselit”.
Mirëpo, në fakt pikërisht kjo qasje shfajësuese e të parit të Qeverisë së Kosovës, hedh dritë mbi këtë anomali. Dhe ajo në të vërtetë dëshmon edhe për përgjegjësinë e tij politike dhe shtetërore. Sepse edhe ky vendim i strukturave të BE-së nuk mund të shkëputet nga procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjeve që janë arritur ndërmjet dy vendeve të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Dhe pjesë e këtij procesi(ndonëse jo vetëm) është edhe kryeministri Kurti.
Siç dihet, Kosova dhe Serbia me Marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet vete ishin pajtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me qëllim që shteti i Kosovës ta fitonte lojalitetin shtetëror, veçanërisht të serbëve të veriut. Mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur. Asnjë qeveri që nga ajo datë nuk e ka zbatuar këtë obligim. Por as nuk e ka mohuar. Pra ky obligim dhe zotim ndërkombëtar, vazhdon të mbetet mbi tavolinën e dialogut për shtetin e Kosovës. Kryeministri Kurti sa ishte në opozitë kishte premtuar se të njëjtën, së bashku me disa marrëveshje tjera do t’i dërgonte në Komisionin e Venecias, por me të ardhur në pushtet asnjë lëvizje nga retorika poetike opozitare
Përkundrazi, ai në shkurt të viti të vitit të kaluar u pajtua për një Marrëveshje të re me Serbinë për normalizimin marrëdhënieve sipas planit franko-gjerman, pjesë e së cilës është fillimi urgjent i procedurave për themelimin e këtij entiteti. Dhe ky vendim nuk mund të shihet ndaras nga teksti i këtij dokumenti.
Ndonëse në nenin 1 të tij thuhet se të “dyja palët do t’i njohin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore”, megjithatë në preambulë shkruan qartë se palët pajtohen për të “mos paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit”. Pra në këtë mënyrë Kosova është pajtuar për pretendimet serbe për statusin dhe sovranitetin.
Në këtë kontekst, fillimisht neglizhenca e shtetit të Kosovës për përmbushur obligimin ndërkombëtar për të cilin është pajtuar për mënyrën e integrimit të serbëve në kuadër të shtetit dhe dy e pajtimit për ta ruajtur dykuptimësinë e sovranitetit, janë një faktor, por jo i vetmi, që kanë krijuar terren edhe për këtë vendim.