Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kina njofton marrëveshje mes Hamasit dhe Fatahut

Kina njofton marrëveshje mes Hamasit dhe Fatahut

Media shtetërore kineze njoftoi të martën se fraksionet rivale palestineze, Fatahu dhe Hamasi kanë nënshkruar një deklaratë me synimin për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve disavjeçare dhe për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar.

Në një postim në mediat sociale të rrjetit televiziv kinez ‘CGTN’ thuhej se marrëveshja u nënshkrua në Pekin, pas një forumi dyditor të organizuar nga ministri i Jashtëm Wang Yi.

Bisedimet përfshinin edhe 12 fraksione të tjera më të vogla palestineze.

Transmetuesi shtetëror kinez ‘CCTV’ nuk dha detaje të mëtejshme mbi marrëveshjen.

Bisedimet në Pekin kishin për qëllim krijimin e një udhërrëfyesi për Gazën e pasluftës, sapo të arrihet një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, që do t’i jepte fund luftës nëntë-mujore në Gazë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se qëllimi i vendit të tij është të shkatërrojë grupin e Hamasit të mbështetur nga Irani. Ai është kundër çdo opsioni që grupi të ketë rol në administratën e Gazës të pas luftës.

“Në vend që të refuzojë terrorizmin, udhëheqësi i Fatahut Mahmoud Abbas përqafon vrasësit dhe përdhunuesit e Hamasit, duke zbuluar fytyrën e tij të vërtetë. Në realitet, kjo nuk do të ndodhë, sepse sundimi i Hamasit do të shtypet dhe Abbasi “do ta shohë Gazën nga larg”. Siguria e Izraelit do të mbetet vetëm në duart e Izraelit”, shkruante ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz në rrjetin social X.

Fatahu dhe Hamasi kanë patur mosmarrëveshje për dekadash lidhur me qëndrimin e tyre ndaj Izraelit. Fatahu, partia politike palestineze që qeveris pjesë të Bregut Perëndimor, ka nënshkruar marrëveshje të përkohshme paqeje me Izraelin, ndërsa Hamasi refuzon të njohë zyrtarisht shtetin hebre.

Palët u ndanë dhunshëm kur luftëtarët e Hamasit dëbuan forcat e Fatahut nga Rajoni i Gazës në vitin 2007 dhe morën kontrollin e rajonit.

Prej asaj kohe Hamasi qeveris Gazën dhe është përfshirë në një luftë brutale me Izraelin, që u nxit nga sulmi terrorist i grupit ndaj pjesës jugore të shtetit hebre më 7 tetor të vitit 2023. Gjatë sulmit, Hamasi vrau 1200 persona dhe mori peng rreth 250 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të pandërprera ajrore dhe tokësore që kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 38,500 personave e kanë plagosur më shumë se 88,800 të tjerë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës që kontrollohet nga Hamasi.

Gjatë 17 viteve të fundit, Egjipti dhe vendet e tjera arabe kanë bërë përpjekje për të pajtuar Hamasin dhe Fatahun. Mbetet për t’u parë nëse marrëveshja e arritur në Pekin do t’i mbijetojë realitetit në terren.

Marrëveshja nënvizon ndikimin në rritje të Kinës në Lindjen e Mesme, pasi ka ndërmjetësuar një tjetër pakt paqeje mes Arabisë Saudite dhe Iranit./voa

Powered by WordPress