Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Sa ishte demokratik akti i tërheqjes së Joe Bidenit nga gara presidenciale?

Sa ishte demokratik akti i tërheqjes së Joe Bidenit nga gara presidenciale?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Tërheqja e kandidatit të Partisë Demokratike dhe presidentit aktual të SHBA-ve, Joe Biden, nga gara presidenciale për zgjedhjet e nëntorit, ka ngritur dyshime dhe dilema se sa ishte demokratik një akt i tillë. Në parim ky veprim ishte shprehje e vullnetit të tij personal. Dhe sipas traditave liberale dhe demokratike secili individ e gëzon autonominë e plotë të tij. Prandaj si kandidimi ashtu edhe tërheqja, për aq kohë sa është kryhet brenda këtij parimi, nuk paraqet shënon ndonjë anomali.

 

Ndërkohë drama e fundit politike e presidentit me të vjetër në historinë  e SHBA-ve,  duke filluar që nga debati presidencial me kandidatin e Partisë Republikane, ish presidentin Donald Trump, e deri ditën e diel, kur i pari e kumtoi vendimin se do të tërhiqet nga kjo garë, tregon qartë se ka ekzistuar një presion ndaj Joe Bidenit për ta bërë këtë akt.

 

Pra që nuk ishte vendim plotësisht në përputhje me vullnetin e tij autonom. Megjithë performacën jo të duhur në atë ngjarje, presidenti Biden, ngulmonte se nuk do ta përfillte kërkesën për tërheqje. Se do ta vazhdonte betejën në mbrojtje të demokracisë amerikane. Madje në Samitin e NATOS-së të mbajtur në Uashington, ai i zotua për ta vazhduar thellimin  bashkëpunimit transatlantik dhe mbështetjen për Ukrainën, gjatë mandatit të tij. Duke u shfaqur kështu si një lider nën drejtimin e të cilit, Amerika do ta vazhdojë misionin e saj planetar.

 

Mirëpo, papritmas, çdo gjë u përmbys nga arsyetimi publik se “tërheqja nga gara është në interesin më të mirë të Partisë Demokratike dhe Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që të fokusohet tërësisht në kryerjen e mandatit që ka aktualisht”. Dhe se i njëjti i ofron mbështetje të plotë, zëvendëses së tij Kamala Harris në këtë betejë.

 

Por paradoksalisht gjatë këtij harku kohor nuk është se kishte pasur një kërkesë masive nga baza anëtarësisë partiake ndaj Bidenit për t’u tërhequr nga kjo garë. Shumica e senatorëve demokratë në këtë institucion, po ashtu edhe atyre në përfaqësuesve në Kongres, nga kjo parti nuk ishin kundër Joe Bidenit. As ata nga Komiteti Kombëtar Demokrat. Atëherë shtrohet pyetja nëse edhe vullneti i tij personal dhe ai shumicës së partisë ishte që ai ta vazhdonte këtë garë, cila dorë e padukshme dhe “misterioze” e bindi presidentin Biden që të ndërronte mendje.

 

Pak ditë para se të ndodhte ky veprim, Robert Reich në shkrimin “Only one group can actually persuade Biden to exit the race: his rich donors” ka pohuar se vetëm elita e pasur e partisë mund ta detyronte atë që të vepronte kundër vullnetit të tij dhe miratimit të shumicës së demokratëve. Dhe është ky grup i mbyllur ndaj të cilit, presidenti Biden u shpreh me tone të zemëruara. I quajti elitat e pasura të partisë dhe nuk i intereson se çfarë mendojnë milionerët.

 

Mirëpo, pa kaluar shumë kohë, ai e kuptoi se nuk ka shanse të ketë sukses, nëse e humb mbështetjen e të parëve. Dhe ky dështim ka demonstruar më mirë se asgjë tjetër,  “atë që dihet prej kohësh se fuqia e vërtetë politike në SHBA, pavarësisht nga partia qëndron në duart e parave të mëdha”. Dhe ky realitet  tregon për tensionet që ekzistojnë ndërmjet demokracisë si shprehje e vullnetit politik të bazës dhe grupeve të mbyllura financiare.

 

 

 

 

 

 

 

Powered by WordPress