Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Rikthimi” i “House of Cards” në Shtëpi të Bardhë

“Rikthimi” i “House of Cards” në Shtëpi të Bardhë

Shkruan: Afrim Kasolli

Sentenca e njohur e Perandorit romak, Mark Aureli se “Çmimi i një jete të gjatë politike është humbja”, askujt  nuk do t’i shkonte më për shtati se sa presidentit aktual të SHBA-ve, Joe Biden.

Ditën e djeshme papritmas ai e njoftoi opinionin se do të tërhiqet nga gara presidenciale, si kandidat i Partisë Demokratike, për zgjedhjet e nëntorit, kundër kandidatit të Partisë Republikane, ish-presidentit Donald Trump.  Për këtë lëvizje të befasishme ai deklaroi se “tërheqja nga gara është në interesin më të mirë të Partisë Demokratike dhe Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që të fokusohet tërësisht në kryerjen e mandatit që ka aktualisht”. Ndonëse i njëjti para 48 orëve nuk kishte dhënë asnjë shenjë se do ta bënte një zbythje të tillë. Përkundrazi, betohej se do t’i qëndronte besnik deri në fund kësaj beteje në emër të Zotit, për ta mbrojtur demokracinë amerikane nga rreziku që sipas tij, e përfaqëson kundër kandidati republikan.

Por çdo gjë u përmbys brenda një harku të shkurtër kohor. Ngjarja që pa dyshim i dha goditje fatale synimeve të kandidatit me të vjetër në historinë amerikane edhe për një mandat, ishte performanca e tij e dobët në debatin presidencial. Pas asaj dite emrat me të rëndësishëm të partisë filluan ta këshillojnë Joe Bidenin se duhet të tërhiqet nga gara. Kërcimi me i madh erdhi nga donatorët e partisë. Kurse nuk mungonin as titujt mediave sikur se CNN se “se para se Biden ta shpëtojë Ukrainë, ai duhet ta përdor samitin e NATO-së ta shpëtojë vetveten”( Before Biden can save Ukraine, he must use the NATO summit to save himself).

Ndërkohë, tentim atentati ndaj ish-presidentit Donald Trump, në një miting në Pensilvani, e vështirësoi tej mase pozicionin e presidentit Biden. Deri sa ky i fundit po luftonte për ta dëshmuar vetën ndaj dyshimeve mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe mentale, i dyti para mbështetëseve republikan, pas asaj ngjarje, po e merrte gjithnjë me shumë aureolën e një “profeti shekullar”, të cilin vetëm dora e Zotit e mbrojti vetëm më qëllim që ta mbrojë Amerikën.

Në anën tjetër, ky presion publik ndaj presidentit Biden ka ngritur edhe dyshime se kishte një komplot nga partia e tij për ta diskredituar në opinionin publik, para se të jetë vonë, me organizmin e debatit presidencial shumë kohë para se ata mbahen zakonisht. Arsyetimi i strategëve të Partisë Demokratike, ishte se në këtë mënyrë kane synuar vetëm, t’i tregojnë shoqërisë amerikane, mbi kërcënimin që e paraqet për superfuqinë e vetme demokratike, Donald Trump. Sidoqoftë, a ka pasur një konsiparcion të tillë të orkestruar dhe detajuar, është vështirë të thuhet. Këto ditë dramatike për njërin nga politikanët më veteran në SHBA, mbase në të ardhmen mund të jenë subjekt i ndonjë trileri artistik, sikur se filmi serik, “House of Cards”. Por u pa qartë, pse residenti Biden pas debatit presidencial si dhe i izoluar nga jeta politike për shkak të infektimit me Covid 19, nuk kishte asnjë atlernative tjetër, pos tërheqjes dhe ofrimit të mbështetjes se nënpresidentes, Kamala Harris, për t’i hyrë garës.

Teknikisht, presidenti Biden do të jetë në këtë pozitë deri në janar të vitit 2025. Por me këtë akt ai e përmbylli karrierën politike, të cilin e kishte filluar para më shumë se 40 viteve. Gjatë jetës së tij ai kishte mbajtur për shumë vite pozitën e senatorit si edhe dy mandate atë të nën president në kohën e Barac Obamës.

Pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera në shikim të parë ndërmjet tyre, Biden dhe Obama, kishin dallime serioze sa i përket politikës së jashtme. I pari që në vitin 2014 i kishte rekomanduar të dytit armatosjen e Ukrainës, si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus gadishullin e Krimesë dhe rajonet Donetsk dhe Luhansk, por ish-presidenti ishte mjaftuar vetëm me disa sanksione ndaj Putinit. Ndërkohë, gjatë mandatit të tij si president ai angazhua maksimalisht për jetësuar planin e papërmbushur gjatës  kohës sa ishte numri dy në Shtëpinë Bardhë.

Formimi politik i Bidenit kishte ndodhur gjatë kohës së Luftës Ftohtë, dhe ai e dinte më mirë se askush tjetër për rrezikun që e paraqesin për paqen, sigurinë dhe demokracinë synimet imperialiste rus. Edhe gjatë, luftërave në vitet ’90 në ish hapësirën jugosllave ai ishte dalluar në denoncimin e krimeve të regjimit të Sllobodan Milosheviqit ndaj popujve tjerë të asaj federate. Po ashtu ai ishte një nga liderët e fundit në Amerikë që kishte njohuri edhe mbi problemin e Kosovës.

Për fund, sipas, profesorit të politikave publike në Universitetin Berekely të Kalifornisë, Robert Reich, në shkrimin “Biden’s record on the economy is good but voters don’t feel it. Character, not policy, is key to victory”, politikat e brendshme ekonomike të presidentit Biden ishin pa krahasimisht më efektive se sa ato të ish-presidentit Trump. Mirëpo, në epokën e populizmit, tashmë ky fakt nuk mjaftonte. Njerëzit kanë nevojë edhe për një narracion tjetër, për çka presidenti Biden nuk ishte në gjendje t’ua ofronte në këtë kohë në dallim nga Donald Trump.