Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kosova me “vend të posaçëm”: Angazhimi i Bidenit ndër vite

Kosova me “vend të posaçëm”: Angazhimi i Bidenit ndër vite

Në familjen e tij, Kosova do të ketë “vend të posaçëm”.Joe Biden e tha këtë në shkurt të vitit 2021, kur i dërgoi një letër ushtrueses së atëhershme të detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për t’i uruar Ditën e Pavarësisë.

“Kosova vazhdon të ketë një vend të posaçëm për familjen Biden, për nder të kohës që djali ynë i ndjerë, Beau Biden, kaloi duke punuar për të siguruar paqe, drejtësi dhe sundim të ligjit për të gjithë popullin e Kosovës”, shkroi Biden në atë letër.

Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara u tërhoq më 21 korrik nga gara presidenciale e këtij viti.

Trysnia mbi të për t’u zmbrapsur nisi në fund të qershorit, pas debatit të parë presidencial me kundërkandidatin republikan, Donald Trump, në të cilin Biden pranoi se nuk kishte pasur performancë të mirë.

Biden, 81 vjeç, ishte në politikë për më shumë se pesëdhjetë vjet.

Mbi tri dekada senator nga shteti Dellauer, dy mandate zëvendës i presidentit Barack Obama dhe një mandat president.

Kur mori postin më të lartë politik të SHBA-së më 20 janar të vitit 2021, Osmani tha se “në krye të SHBA-së, prej sot, është miku i Kosovës”.

Mbështetja e Bidenit për Kosovën nisi herët, qysh si senator.Ishte tetori i vitit 1998, kur ai së bashku me senatorë të tjerë shprehë mbështetje për veprimet ushtarake të NATO-s kundër Serbisë, për të ndalur dhunën në Kosovë.

NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve më 24 mars të vitit 1999.

Vetëm dy ditë përpara se të nisnin sulmet e para, Kongresi amerikan ishte ende i ndarë për vendimin.

Senatorja e atëhershme republikane, Kay Bailey Hutchison, tha se administrata e presidentit Bill Clinton “nuk ka plan se çfarë do të bëjë pas bombardimeve”.

Në atë seancë, Biden tha se sulmet ajrore “janë në interes të sigurisë së SHBA-së”.

Ai tha se lufta po kërcënonte besueshmërinë e NATO-s, ndërsa “vala masive e refugjatëve do t’i destabilizonte demokracitë e brishta në Maqedoni dhe Shqipëri”.

“Interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara kërcënohen drejtpërdrejt nga veprimet e vazhdueshme agresive të Qeverisë jugosllave në Kosovë”, tha Biden më 22 mars, 1999.

Në një deklaratë të transmetuar nga Zëri i Amerikës, Biden tha se puna e tij për t’u dhënë fund luftërave jugosllave ishte një nga “momentet më krenare” të karrierës së tij të gjatë politike.

Në një shkrim autorial për gazetën Washinton Times në vitin 2004, senatori i atëhershëm, Biden, tha se “asnjë vëzhgues serioz nuk beson se Kosova – ndonjëherë në të ardhmen – do të udhëhiqet nga Beogradi” dhe shtoi se “zgjidhja e statusit të Kosovës nuk bën të zhargitet për kohë të gjatë”.

Kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, Biden ishte ndër të parët në SHBA që e përshëndeti atë dhe i ftoi edhe kolegët e tij që të shprehnin “mbështetjen e Senatit” për të.

Në një fjalim në mars të vitit 2008, Biden, si kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, tha se “çdo përpjekje nga Beogradi për të nxitur kaos në veriun e Kosovës apo në Republikën Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, duhet të trajtohet me shpejtësi dhe vendosmëri nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja”.

Në vitin 2009, vetëm pas katër muajsh në postin e nënpresidentit amerikan, Biden vizitoi Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës është e pakthyeshme dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha Biden më 21 maj, 2009, në Prishtinë.

Pak muaj pasi Kosova arriti marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në vitin 2013, nënpresidenti i atëhershëm, Biden, priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në atë rast, Biden theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të asaj marrëveshjeje.

Si nënpresident, Biden qëndroi në Kosovë edhe në vitin 2016, kur mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës Ferizaj-Gjilan me emrin e djalit të tij të ndjerë, Beau Biden.

Beau Biden – i cili shërbeu në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999, për të ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve vendas – vdiq nga kanceri në tru në vitin 2015.

Në shkurt të vitit 2021, pas një muaji në detyrën e presidentit, Biden i shkroi letër ushtrueses së atëhershme të detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke i thënë se SHBA-ja është e gatshme të punojë me Qeverinë e re të Kosovës, e cila kishte dalë nga zgjedhjet e atij muaji.

Më pak se dy muaj më vonë, Biden i shkroi edhe një letër Osmanit, për ta uruar për zgjedhjen në pozitën e presidentes dhe për të theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë kërkon “kompromise të vështira”.

Po atë vit, në korrik, Biden pranoi Medalje Presidenciale nga Kosova për djalin e ndjerë.

Duke e falënderuar presidenten Osmani përmes një video-mesazhi, Biden tha se djali i tij e ka dashur Kosovën dhe shtoi se SHBA-ja do të mbetet “partnere e palëkundur” e saj.

Gjatë presidencës së tij, Biden inkurajoi disa herë Kosovën, por edhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet me njëra-tjetrën.

Por, gjatë kësaj periudhe, zyrtarë të lartë amerikanë edhe e kritikuan Kosovën për, siç thanë, disa veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, të cilat, sipas tyre, vunë në dyshim partneritetin me SHBA-në.

E Biden, gjatë vizitës së fundit në Kosovë në vitin 2016 – atëkohë si nënpresident – e porositi atë: “Suksesi juaj është jashtëzakonisht shumë në interes të vendit tim. Nëse ju keni sukses, rajoni do të ketë sukses”./REL/

Powered by WordPress