Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha në një prononcim për TV Arbëria në lidhje me vrasjen e Faton Hajrizit, të arrestuarit nga burgu i Smrekonicës, thotë se ka marrë pjesë grupi terrorist i Milan Radoijçiqit, i cili ishte kamufluar në uniformën e Policisë së Serbisë, derisa shton se këtë ua mundësoi MPB-ja e Serbisë, Ivica Daçiq.
“Në vrasjen e Faton Hajrizit mori pjesë grupi terrorist i Milan Radojçiqit i kamufluar në uniformën e Policisë së shtetit serb. Këtë ua mundësoi kopili i Sllobodan Millosheviçit, MPB i Serbisë Ivica Daçiq, që ta kryejnë një stërvitje “ndjekja dhe neutralizimi i grupit kriminal” me objektiv të gjallë, vrasjen e një shqiptari, si gjah “tërbues” tradicional për të dëshmuar urrejtjen ndaj shqiptarëve, si doktrinë edukative mesjetare politike e kishtare serbe”, është shprehur Berisha.
Ai thekson se Faton Hajrizi është vrarë pa asnjë kërkesë as urdhër për dorëzim.
“I arratisuri nga burgu, Faton Hajrizi, “heroi i ditës” që po zgjatë, u vra me breshëri plumbash nga një zjarr i koncentruar i armëve “kallashnikov” prodhim serb, pa asnjë kërkesë as urdhër për dorëzim. Pra ishte thjesht shfryrje e kriminalitetit serb të veshur me identitet e detyrë shtetërore”, tha ai.
Tutje, për arrestimin e Faton Hajrizit nga autoritetet serbe deputeti i PDK-së thekson se as që është provuar të kapet i ndjeri përmes PSO-ve për veprim të policëve të rregullt në shtetet demokratike.
“Sipas burimeve nga terreni, Fatoni ishte i plagosur në këmbë dhe veç se ishte i palëvizshëm nga plaga dhe sasia e gjakut që kishte humbur. Por, kapja e tij përmes PSO-ve për veprim të policive të rregullta në shtetet demokratike as që u provua, ani se në mendësinë e Fatonit, siç ka deklaruar në shumë paraqitje virtuale s’do të ndodhte, “të vdes po, me u dorëzua i gjallë jo”! Por kjo nuk përbën befasi kur flitet për Serbinë dhe regjimin kriminal të “çergashve” kriminel të dëshmuar për krime e gjenocid të konfirmuar në OKB, e të kryera në Kroaci, Bosnje, e Kosovë, si Vuçiq, Daçiq, Vulin, Radojçiq, etj.”
Sipas vlerësimit të Berishës, Milan Radojçiqit i ishte vënë një detyrë sfiduese nga shteti, që ta eliminojë Faton Hajrizin, teksa shton se qëllimi i Vuçiqit sipas tij, është që të vritet vetë Radojçiqi pasi i përbën kërcënim siç ishte Prigozhin për Putinin.
“Milan Radojçiq vetë ishte prezent aty, me detyrën sfiduese, me të cilën u ngarkua drejtpërdrejt nga shteti përkatësisht Ministria e Policisë e Xhandarmerisë së Daçiqit. Kjo është sfida e radhës që po ia ngarkon Beogradi për ta bërë subjekt penalizimi, por edhe mundësisht ta eliminojë fizikisht, pasi ai përbën kërcënim për Vuçiqin, siç ishte Prigozhin për Putinin, të cilin e eliminoi. Pra qëllimi i Vuçiqit është të vritet Radojçiq që mos ta ketë problemin e Putin me Prigozhinin”, ka thënë Berisha për TV Arbëria.
Berisha konstaton se Serbia nuk e fali Faton Hajriizn ashtu siç vepruan organet e Kosovës me grupin kriminal serb më 24 shtator të vitit të kaluar, duke i lejuar të largohen të sigurt, të cilët depërtuan me urdhër nëpër pikë kalimin kufitar të pa shfrytëzueshëm.
“Në mënyrë të përsëritur pas Kumanovës, është rasti i të arratisurit FH, se si bëhet neutralizimi dhe eliminimi i objektivit. Po ashtu, mësim i nxjerrë është se Serbia nuk e fali të vetëm një person që po e cilëson terrorist e kriminel, ashtu siç bënë organet qeverisëse të Republikës së Kosovës me 24 shtator 2023, Kryeministri i Kosovës, MPB, Drejtoria e përgjithshme e PK, kryekëshilltari për dialog i kryeministrit, etj. duke i lejuar të largohen të sigurt, grupin kriminal të ushtarakëve serb, që kryen invazion në territorin e Kosovës (VERI), me kapacitete ushtarake në njerëz dhe armatime në nivel kompanie. Depërtuan nëpër pikë kalimi kufitar të pa shfrytëzueshëm por që mbahej nën kontroll nga punkti policor, i cili me urdhër, u largua nga pikë kontrolli”, është shprehur Berisha.
Ndërsa për vrasjen e Faton Hajrizit, Berisha vlerëson se sipas doktrinave të operimit ushtarak serb, pala e cila nuk ndalet, paralajmërohet me thirrje të përsëritura që të ndalohet personi i ndjekur.
“Kaluan për 10 deri 40 km, nëpër kufi dhe territor, dhe vranë një zyrtar policor në detyrë e plagosën dy tjerë. Kurse, me marrëveshje e urdhër u lanë të largohen të lirë, për tu hakmarrë ndaj një të arratisuri pa asnjë qëllim armiqësor ndaj vendeve nëpër të cilat po e realizonte ikjen nga (PA) drejtësia kosovare. Edhe sipas doktrinave të operimit ushtarak serb, pala e cila nuk ndalet, paralajmërohet me thirrje të përsëritur NDAL, NDAL SE QËLLOJ, NDAL SE QËLLOVA dhe në fund shtinë, por në ajër sa për ta friksuar dhe detyruar në ndalje. Nëse është agresiv, qëllohet në ekstremitete sa për tu paaftësuar, por nëse nuk është agresiv dhe nuk shfaq qëllim për sulm ndaj forcave që e thërrasin për ndalim, atëherë identifikohet drejtimi ikjes dhe njoftohen organet eprore. Po ashtu, nëse ka ndonjë dyshim të bazuar, paralajmërohen organet e shtetit në të cilin kalon, në emër të luftës kundër krimit i cili ka karakter transnacional, sipas marrëveshjeve ndërshtetërore për ekstradimin e të ndjekurve ndërkombëtarë. Pra, nga kjo analizë pas aksioni, ajo që kërcënoi MPB, kapjen brenda 24 orëve të të arratisurit krekosës FH, nuk e realizoi. Këtë ultimatum duhet ta zotëronte vetë Policia e Kosovës”, përfundoi Berisha për TV Arbëria.