Francesco Camarda ka firmosur kontratën e parë si profesionist. Sulmuesi i talentuar italian ka nënshkruar me Milanin deri në verën e vitit 2027.
16-vjeçari shkroi historinë gjatë sezonit të fundit, duke u bërë lojtari më i ri që debuton në Serie A.
Ishte nëntori i vitit të kaluar, luhej Milan-Fiorentina dhe Camarda debutoi në moshën 15 vjeç, 8 muaj dhe 15 ditë. Si askush tjetër më parë në elitën e futbollit italian.
Sulmuesi është pjesë e kuqezinjve prej moshës 7-vjeçare. Sezonin e ardhshëm do të luajë me Milanin U23 në Serie C.
Por nuk përjashtohet mundësia që të grumbullohet edhe nga tekniku Fonseca me ekipin e parë në raste të ndryshme.
Tifozët e “Djallit” shpresojnë të ndodhë sa më shpesh, pasi besojnë shumë te potenciali dhe kualiteti i Camardës.
I cili pavarësisht moshës së re është shndërruar prej kohësh ndër të preferuarit e popullit milanist.