Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Maqedoni > VLEN: BDI me patriotizëm të rrejshëm, por edhe me xhepat plot

VLEN: BDI me patriotizëm të rrejshëm, por edhe me xhepat plot

“Kjo parti, me prirje të regjimeve afrikane dhe latine, gjatë sundimit të tyre 20-vjeçar, ka sjellë qytetarin në gjendje të lypësarisë. Ndërsa një grusht njerëzish nga kjo parti pasuroheshin dhe jetonin në luks, shqiptari i thjeshtë që fitonte bukën me ndershmëri, vuante për barna, libra shkollorë dhe nevoja të tjera elementare.

Të nderuar qytetarë, koalicioni VLEN nuk do të lejojë që BDI të përdorë shqiptarët si mburojë për sundimin e tyre kriminal. Duhet të dini se derisa BDI në opozitë e ka gojën plot me patriotizëm të rremë, një klikë e tyre kanë mbushur xhepat.

Skandalet e tyre nuk do të lejojmë që të harrohen. Ramiz Merko, i njohur si “sherifi lokal” i Strugës, gjatë katër mandateve të tij si kryetar komune, ngriti një perandori për vete dhe familjen e tij, saqë Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi në listën e zezë për korrupsion. Nazim Bushi, zëvendës-ministër i MPB-së, së bashku me të birin e tij, pushonte nëpër hotele superluksoze të Turqisë ku një natë kushtonte 20 mijë euro. Drin Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit, bleu Soravinë për 20 milionë euro dhe më pas u kap me fishekzjarre.

Blerant Xhaferi, djali i kryekuvendarit të atëhershëm Talat Xhaferi, tërhoqi vëmendjen kur Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit bëri të ditur se ka dhënë provimin e jurisprudencës para se të diplomojë, e më pas u bë prokuror. Mos të flasim për Lotarinë dhe lojërat e fatit në regji të Përparim Bajramit dhe Artan Grubit që kanë mbërthyer lagjet tona. Presim që organet e rendit ta kryejnë punën e tyre për të cilën paguhen nga qytetarët dhe ta kthejnë besimin në sundimin e ligjit”, akuzojnë nga VLEN.

Powered by WordPress