Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kurti për Urën e Ibrit: Me shtetet e QUINT-it biseduam për hapjen, askush s’mund të na thotë se nuk është e drejtë

Kurti për Urën e Ibrit: Me shtetet e QUINT-it biseduam për hapjen, askush s’mund të na thotë se nuk është e drejtë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në takimin formal që e ka zhvilluar të mërkurën me pesë ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka biseduar “në veçanti për nevojën e hapjes së Urës së Ibrit”.

Kurti, në një konferencë për media të enjten, tha se hapja e Urës së Ibrit është gjë e drejtë dhe se askush “nuk mund të na thotë” ndryshe.

“Me pesë ambasadorët e QUINT-it diskutuam për situatën e sigurisë në përgjithësi, e në veçanti biseduam në veçanti për nevojën e hapjes së Urës së Ibrit, e cila është një marrëveshje e para shumë viteve në Bruksel, nga dekada e kaluar. Natyrisht se askush nuk mund të thotë se kjo nuk është një gjë e mirë ose e drejtë, por ne duam që edhe të zbatohet Ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes por në të njëjtën kohë të kemi siguri dhe paqe për të gjithë”, tha ai.

Ai tha se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt, por “është për të mirën e qytetarëve”.

Kurti tha se janë edhe tri ura të tjera mbi lumin Ibër dhe se nuk është e drejtë që vetëm ura kryesore të mos jetë e hapur.

“Do duhej edhe kjo urë në mënyrë normale të jetë e hapur”, ka thënë Kurti.

Powered by WordPress