Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i tha privatisht Presidentit Joe Biden në një bisedë të fundit se sondazhet tregojnë se ai nuk mund ta mposhtë Donald Trumpin dhe se mund t’i shkatërrojë shanset e demokratëve për të fituar në Dhomën e Përfaqësuesve në nëntor, nëse vazhdon ta kërkojë një mandat të dytë, sipas katër burimeve të informuar për telefonatën, raporton CNN.
Presidenti u përgjigj duke u tërhequr, duke i thënë Pelosit se ka parë sondazhe që tregojnë se ai mund të fitojë, tha një burim. Një tjetër nga burimet tha se Biden mbajti qëndrim mbrojtës në lidhje me sondazhet.
Kjo telefonatë do të shënonte bisedën e dytë të njohur midis ligjvënëses së Kalifornisë dhe Bidenit që nga debati katastrofik i presidentit më 27 qershor. Ndërsa data e saktë e bisedës nuk u bë e qartë, një burim tha “brenda javës së kaluar”. Pelosi dhe Biden folën gjithashtu në fillim të korrikut.
Asnjë nga burimet nuk tregoi nëse Pelosi i tha Bidenit në këtë bisedë se ajo beson se ai duhet të largohet nga gara presidenciale.
Pelosi i ka kaluar javët pas debatit duke dëgjuar shqetësimet e kolegëve të saj. Pelosi bëri bujë kur tha në një intervistë javën e kaluar se “i takon presidentit të vendosë nëse ai do të kandidojë. Ne të gjithë po e inkurajojmë atë që të marrë atë vendim, sepse koha po ikën”.
Kur u pyet për koment, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates nuk iu përgjigj detajeve të raportimit të CNN mbi thirrjen e fundit Pelosi-Biden. “Presidenti Biden është i nominuari i partisë. Ai planifikon të fitojë dhe mezi pret të punojë me demokratët e Kongresit për të kaluar agjendën e tij 100 ditore për t’i ndihmuar familjet që punojnë”, tha Bates.
Një zëdhënës i Pelosit tha për CNN se ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve është në Kaliforni që nga e premtja dhe që atëherë ajo nuk ka folur me Bidenin.