Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë ftesë diasporës që të investojë në Kosovë, derisa është zotuar se do t’ua garantojë kreditë.
Po ashtu, këtë vit mërgimtarëve qeveria ua ka paguar dhe policën kufitare.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Qeveria fton mërgatën të investojë por e ka futur vendin nën sanksione dhe askush nuk investon në këtë gjendje.
“Kjo Qeveri fton mërgatën tonë të investojë në Kosovë, por Kosovën politikat aktuale qeveritare e kanë futur në sanksione tash e sa kohë. Askush nuk investon në një vend të cilin e sanksionon Evropa”, thotë ai.
Abdullahu vlerëson se askush nuk kthehet në Kosovë derisa po ikin pasi nuk e shohin të ardhmen në Kosovën e Kurtit.
“Kjo Qeveri fton diasporën të kthehet në Kosovë, ndërkohë që kurrë më herët nuk ka pasur më shumë qytetarë të Kosovës të cilët të ardhmen e tyre po e shohin gjetiu e jo në Kosovën e Kurtit. Askush nuk kthehet në atë vend prej të cilit po ikin vazhdimisht, sidomos rinia”, potencon ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, askush nuk kthehet në vendin që mund të ketë luftë, derisa qeveria e përmend atë vazhdimisht.“Kjo Qeveri fton mërgatën në shumë mënyra dhe i premton se do ta ndihmoj, ndërkohë përsërit, qe sa kohë se, në Kosovë mund të ketë luftë. Askush nuk kthehet në vendin që mund të këtë luftë”.
Gjithë këtë, zëdhënësi i PDK-së e sheh si populizëm të një qeverie që luan me ndjenjat e mallëngjimin e mërgimtarëve, vetëm për t’ua marrë votat e asgjë më shumë.“Ky është populizëm majtist regresiv i një Qeveria që ka ’pajtu me marre’ që luan me mallëngjimin e qytetarit, me ndjenjën e tij patriotike dhe dëshirën për t’u kthyer në Kosovë, me të vetmin qëllim, që edhe kësaj here ta marrë votën e tij, për asgjë tjetër, për asgjë më shumë”, deklaron Faton Abdullahu.