Sëmundjet e zemrës kanë qenë gjithmonë të pranishme tek njerëzit, por kohëve të fundit, temperaturat në vendin tonë janë duke thyer rekorde, duke arritur deri në 38-40 gradë Celsius. Këto kushte ekstreme të motit po ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e popullatës, veçanërisht tek ata me probleme kardiake. Temperaturat e larta rrisin rrezikun e komplikacioneve të zemrës, duke përkeqësuar simptomat dhe duke shtuar stresin mbi sistemin kardiovaskular, raporton TV Arbëria.
Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për TV Arbëria, kardiologu Arlind Batalli, ka thënë se rreziku për sëmundje Kardiovaskulare rritet, për shkak të temperaturave të larta të ajrit në ditët e nxehta.
“Temperaturat e larta të ajrit në ditët e nxehta rrisin rrezikun për sëmundje Kardiovaskulare, qoftë me përkeqesimin e sëmundjeve ekzistuese apo paraqitjen e ngjarjeve të reja Kardiovaskulare”, tha ai.
Batalli thotë se sipas studimeve ekspozimi ndaj nxehtësisë mund të rrisë rjedhjen e gjakut në lëkurë dhe djersitjen për të ulur temperaturën bazë të trupit.
“Studimet kanë treguar disa mekanizma patofiziologjikë që mund të shpjegojnë lidhjet midis ekspozimit të nxehtësisë dhe ngjarjeve kardiovaskulare;
Ekspozimi ndaj nxehtësisë mund të rrisë rrjedhjen e gjakut në lëkurë dhe djersitjen për të ulur temperaturën bazë të trupit”, është shprehur Batalli.
Tutje, ai konstaton se sistemi nervor simpatik aktivizohet për të ruajtur prodhimin kardiak përmes një rritjeje kompensuese të ngarkesave kardiake.
“Si përgjigje, sistemi nervor simpatik aktivizohet për të ruajtur prodhimin kardiak përmes një rritjeje kompensuese të ngarkesave kardiake, të tilla si rritja e rrahjeve të zemrës dhe vëllimit të godites.”
Kardiologu thekson se vazodilatimi periferik dhe dehidratimi mund të shkaktojnë gjithashtu rënie të presionit të gjakut, teksa shtoi se për shkak të dehidrimit rritet mundësia e formimit të trombeve dhe rrjedhimisht mund të ndodhin ngjarje si sulm në zemër apo tru.
“Vazodilatimi periferik dhe dehidratimi mund të shkaktojnë gjithashtu rënie të presionit të gjakut. Për më tepër, për shkak të dehidrimit rritet vizkoziteti i gjakut dhe mundësia e formimit të trombeve dhe rrjedhimisht mund të ndodhin ngjarje si sulm në zemër apo tru”, është shprehur ai për TV Arbëria.
Sipas vlerësimit të Batallit, grupmoshat të cilat rrezikohen më së shumti për probleme në zemër në rast të ekspozimit në temperatura të larta të nxehtësisë janë të moshuarit, poashtu dhe pacientët me sëmundje të zemrës dhe sëmundje tjera kronike.
“Kush rrezikohet më shumë?
Moshat e shtyera!
Pacientët me sëmundje te zemrës dhe sëmundje tjera kronike”.
Kardiologu Batalli rekomandon që t’i shmangni pikun e nxehtësisë duke parashtruar disa masa mbrojtëse duke thënë se nga ora 11 deri në 17 të pasditës t’i shmangni temperaturat e larta të nxehtësisë, të përdoren veshje të përshtatshme, duke shtuar që të konsultoheni me mjekun tuaj për titrimin e dozës së medikamenteve, dhe të qëndroni sa më të hidratuar.
“Rekomandime;
Shmangni pikun e nxehtësise 11-17
Përdorni veshje të përshtatshme
Bisedoni me mjekun tuaj për titrimin e dozës së medikamenteve (ricaktimin e dozes) për të evituar rrënjën e Tensionit arterial.
Rrini të hidratuar”, përfundoi Batalli për TV Arbëria.