Luiza Gega, do të jetë flamurmbajtësja e Shqipërisë në eventin më të madh sportiv të vitit, Lojërat Olimpike Paris 2024.
Atletja shqiptare mori në dorëzim flamurin kombëtar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një ceremoni zyrtare e cila u zhvillua në Parkun Olimpik Feti Borova, nga Ambasada e Francës, vendit organizator të lojërave verore, në bashkëpunim me KOKSH dhe Bashkinë e Tiranës.
Shqipëria do të përfaqësohet në Olimpiadën e Parisit me 8 sportistë. 4 prej tyre janë të kualifikuar, duke nisur nga Luiza Gega, sportistja më e suksesshme në vend në arenën ndërkombëtare, e cila do të garojë në 3000 metra me pengesa, mundësat e natyralizuar në shqiptarë Zelimkhan Abakarov (57 kg), Islam Dudaev (deri 65 kg0, dhe Chermen Valiev (74 Kg) që garojnë në stilin e lirë.
Ndërkohë, janë 4 sportistët që kanë siguruar pjesëmarrjen me ftesa, notarët Grisi Konxhaku në 100m stil i lirë si dhe Kaltra Meca 200m stil i lirë, qitësja Manjola Konini në disiplinat pistoletë 25 metra, dhe 10 metra pistoletë me ajër, si dhe Franko Burraj në atletikë në garën e 100 metrave, finalja e së cilës konsiderohet një ndër eventet më të ndjekura të Olimpiadës.
Mund të konsiderohet një dështim fakti që Shqipëria nuk arrin të çojë në Olimpiadë këtë edicion asnjë peshëngritës, tradicionalisht sporti që i ka sjellë vendit më shumë medalje në garat ndërkombëtare. Ministrja e Sportit Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj përgëzoi sportistët pjesëmarrës në Olimpiadë për përkushtimin në këtë arritje.
“Është një moment i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë në arenën sportive. Me sportistë tanë elitar që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” nuk celebrojmë vetëm dedikimin dhe talentin e tyre, por nderojmë frymën e përbashkimit që flamuri ynë përfaqëson, simbolikën e madhe dhe dorëzimin te ekipi ynë”./ss