Në mungesë të prokurores Fatmire Cacaj, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin e vrasjes në Dragodan.
Në këtë rast Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T në Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje, Mustafë Mustafa po akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa po akuzohet për manipulim me prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas kryetarit të trupit gjykues Gent Beka, prokurorja Cacaj sot përmes telefonit e kishte njoftuar se nuk mund të ishte në seancën e sotme pasi që nuk ishte përgatitur për marrjen në pyetje të dëshmitarëve ngase kishte pasur rast vdekje, e që ishte dita e parë e saj në punë pas rastit.
Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty, ndërsa e radhës pritet të mbahet në një datë tjetër.
Ndryshe, në këtë seancë ishin të pranishëm dëshmitarët Besnik Vitija dhe Mergim Imeri.
Më 26 tetor 2023 u mbajt seanca fillestare në këtë rast e kryesuar nga gjykatësi Ngadhnjim Arrni i cili është avancuar në Departamentin Special.
Sipas aktakuzës së ngritur me 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzuari Avni Mustafa me datë 19 mars 2023 rreth orës 13.20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtine për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde e ka privuar nga jeta të ndjerin R.T duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit.
I akuzuari Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë akuzohet për veprën “pjesë marrje në rrahje” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkaq i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “manipulim me prova” pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastaava” me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij.