Donald Trump e emëroi James David Vance, senatorin e Ohajos, si kandidatin e tij për zëvendëspresident dhe shumë shpejt vëmendja në Londër u përqendrua në atë se çfarë mund të nënkuptojë kjo për Mbretërinë e Bashkuar, shkruan The Guardian.
David Lammy, sekretari i ri i jashtëm britanik, e njeh mjaft mirë Vance.
Vance gjatë konferencës së Konservatorizmit Kombëtar së fundmi tha se me Laburistët tash në pushtet, Mbretëria e Bashkuar mund të përfundojë si “vendi i parë me të vërtetë islamik” që ka armë bërthamore.
Duke e parë klipin, padyshim që ishte më shumë një shaka. Por shakatë mund të jenë provokuese, të rrezikshme dhe ofenduese, dhe ato zbulojnë shumë për atë që mendojnë njerëzit. Daniel Finkelstein, kolumnist i Times dhe koleg i Partisë Konservatore, e ka përshkruar këtë si një “koment të egër racist”.
Ne nuk e kemi dëgjuar përgjigjen e Lammyt, por zëvendëskryeministrja britanike, Angela Rayner ka dhënë intervistë këtë mëngjes dhe në Good Morning Britain të ITV-së. Ajo tha se Vance kishte gabuar. E pyetur se si ndihej për përshkrimin e tij për Laburistët, ajo u përgjigj: “Shikoni, unë nuk e njoh atë karakterizim. Jam shumë krenar për suksesin zgjedhor që laburistët patën kohët e fundit. Ne fituam vota në të gjitha komunitetet e ndryshme, në të gjithë vendin. Dhe jemi të interesuar të qeverisim në emër të Britanisë dhe gjithashtu të punojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë”.
“Kështu që mezi e pres atë takim [me Vance] nëse ky është rezultati [dmth nëse fiton Trump]. I takon popullit amerikan të vendosë”, tha ajo.
Rayner tha gjithashtu se SHBA-ja është një aleat kyç për Mbretërinë e Bashkuar, dhe se këdo që do ta zgjedhin amerikanët, “ne do të punojmë me ta, sigurisht që do ta bëjmë”.
Konservatorët duken më të gatshëm këtë mëngjes për ta kritikuar atë që JD Vance tha për Mbretërinë e Bashkuar sesa politikanët laburistë, shkruan gazeta britanike. Megjithëse konservatorët janë më të lidhur me republikanët amerikanë sesa laburistët, kjo nuk është veçanërisht befasuese sepse laburistët duhet të shqetësohen për marrëdhëniet diplomatike me një administratë të mundshme Trump, ndërsa kjo nuk është diçka për të cilën një udhëheqës konservator ndoshta do të duhet të shqetësohet.