Rastet e helmimeve me ushqim viteve të fundit në Kosovë kanë qenë të shpeshta. Produktet ushqimore që nuk janë mbajtur në temperaturën dhe ambientin e duhur dhe mungesa e kontrollit, janë vetëm disa nga arsyet përse qytetarët në Kosovë mendojnë se ushqimi nuk është i sigurt.
Në lidhje me sigurinë e ushqimit në sektorin e gastronomisë, kryeinspektori sanitar në Kosovë, Ibrahim Tërshnjaku, ka deklaruar për GazetaBlic se ka rritje të vetëdijësimit nga bizneset për cilësinë e ushqimit në restorantet në vendin tonë në këtë sezon.
“Duke u nisur nga një parim i përgjithshëm autoriteti ynë është për të bërë kontrolla dhe për të gjetur të gjitha parregullësitë e operatorëve ekonomikë për ndërtimin e një sistemi të sigurt për konsumatorët dhe ata të kenë që nga ferma deri tek tryeza ushqimin e sigurt. Në kuadër të planit të punimit të cilin ne e bëjmë, plane vjetore kemi analizuar dhe detajuar të gjitha ato kontrollat të cilat bëhen në periudha të caktuara”, shprehet ai.
Tërshnjaku potencoi se këtë vit ka numër të vogël me raste të helmimeve në sektorin e gastronomisë, ku sipas tij rezulton se ka rritje të vetëdijësimit në lidhje me higjienën të ushqimit dhe atë personale.
“Kemi një numër të vogël të rasteve me helmim në ushqim sepse vetëdija e operatorëve ekonomikë është rritur mjaft shumë sepse është interes i tyre të mbajnë higjienë personale dhe të ushqimit”, tregoi ai.
Tutje, ai tregoi se ka rritje të inspektimeve këtë vit në sektorin e gastronomisë nga Inspektoriati Sanitar i Kosovës.
“Për ato subjekte të cilat nuk i zbatojnë masat dhe urdhëresat tona zbatohet gjoba, për këtë vit ne kemi kaluar planin tonë duke u angazhuar në këtë numër që kemi në nivel të Kosovës, duke bërë kontrolla të vazhdueshme kontinuele me ankesat e qytetarëve të cilët i kemi prioritet. Unë lus qytetarët që gjithmonë të jenë pranë autoriteteve, tek menaxhimi i integruar i kufijve, linjat e gjelbërta të Ministrisë së Shëndetësisë dhe autoriteteve tjera dhe ne do t’ju japim prioritet rasteve të ankesave të qytetarëve. Për fat të mirë operatorët tanë ekonomikë dhe marketet kanë kryer kushtet dhe standardet ndryshe nga vitet e tjera”, tha tutje ai.
Sa i përket sigurisë së ushqimit në sektorin e gastronomisë, Tërshnjaku thekson se momentalisht Inspektoriati Sanitar i Kosovës ka fokus inspektimet në restorantet e dasmave dhe pishinat rekreative në të cilat janë duke bërë inspektime për cilësinë e ushqimit në këto vende.
“Tani Inspektoriati Sanitar është duke vepruar me planin mujor në të cilin fokus kemi restorantet e dasmave dhe ahengjeve të ndryshme që bëjmë inspektime në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Inspektimi i pishinave rekreative, por me theks të veçantë kemi edhe institucionet e rëndësisë së veçantë që i përkushtojmë një rëndësi të madhe çështjes së sigurisë ushqimore tek autoritetet e Policisë së Kosovës, burgjet, Ushtrisë së Kosovës është me rëndësi etike që ne t’ju sigurojmë qytetarëve ushqim të sigurt përmes kontrolleve”, përfundoi Ibrahim Tërshnjaku.